RTSH Sport Live

Anton Qafarena, tjetër trofe në Ukrainë

  • 21/03/2021
  • |
  • Të tjera
Anton Qafarena, tjetër trofe në Ukrainë
Barkom Kazhani bëhet fitues i Kupës në finalen e ethshme me Zhitishi PNU

Anton Qafarena, volejbollisti i kombëtares së Shqipërisë, ka marrë një tjetër trofe në Ukrainë, teksa është pjesë e Barkom Kazhanit. Në fundin e dhjetorit të vitit të kaluar, jo vetëm që skuadra e tij ishte fituese e Superkupës së Ukrainës, por dhe Qafarena vetë u shpall lojtari më i mirë i asaj finaleje.

Tanimë një tjetër duel për trofe, finalja e Kupës së Ukrainës në përballjen me Zhitishi PNU, që është zhvilluar këtë të shtunë. Një duel që ka zgjatur për dy orë e gjysëm, ndërsa në fund Qafarena dhe Barkom Kazhani kanë dalë fitues 3-2.

Seti i parë ka shkuar për Barkom Kazhanin, 25-21. Kthen lojën Zhitishi PNU 25-18. Përsëri me të njëjtin rezultat 25-21 në setin e tretë del fitues Barkom Kazhani i Qafarenës. 25-22 i katërti për Zhitishi PNU dhe në finale pika e pesëmbëdhjetë ka ardhur nga shkodrani, ndërsa Barkom Kazhani shpallet fitues i Kupës së Ukrainës në volejboll për meshkuj.

Një paraqitje e jashtëzakonshme e Anton Qafarenës, jo vetëm sepse është titullar i padiskutueshëm i formacionit ukrainas, por me dy trofe të fituara, Superkupë dhe Kupën e Ukrainës, është një siguri e madhe për Barkom Kazhanin.

 Tanimë mbetet vetëm titulli kampion për t’u fituar, ndërsa në maj eksperienca ukrainase e Qafarenës do të jetë një plus i madh për kombëtaren e meshkujve në kualifikueset e Kampionatit Europian, që do të zhvillohen me sistem grumbullimi në Sllovaki e Rumani.