RTSH Sport Live

Argjentina, një rekord më vete

  • 14/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
Argjentina, një rekord më vete
Kampionët e Botës në fuqi kanë fituar 11-0 ndaj SHBA, spikat Brandi me poker golash

Argjentina e nis jo vetëm si kampione e Botës në fuqi, por dhe me goleada garën që është duke u zhvilluar në Lituani. Jo vetëm fitore e thellë në shifrat 11-0, shumë e rrallë për një Kampionat Botëror, por dhe rekord i ri në vetëm tre ditë të Kupës së Botës në Lituani. Brandi i bashkohet Ferraos së Brazilit në kreun e listës së golashënuesve të Kampionatit Botëror, sepse ka realizza katër gola në fitoren ndaj skuadrës amerikane.

E për të kompletuar suksesin e Argjentinës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlen dhe dygolëshi i Reshias e Klaudinos, pa harruar firmat e Kuzolinos, Baziles e Borrutos. E ndërkohë një fitore spektakolare ishte ajo e Spanjës, që ashtu me cinizimin që karakterizon futbollin iberik godet dhe realizon atëherë kur duhet. Solano, Fernandez, Raul Gomes dhe Raul Kampos e në përfundim 4-0 ndaj Paraguajit.

Një fitore e vështirë, ndoshta dhe surprizë, mund të cilësohet suksesi i Iranit ndaj Serbisë, 3-2. Kurse një lojë të bukur dhe spektakolare kanë dhënë dhe Angola e Japonia, që në fund kanë fiksuar shifrat 8-4 për japonezët, që kështu e kanë nisur me këmbë të mbarë këtë Kampionat Botëror.

Duke nisur nga dita e enjte startojnë ndeshjet e dyta në grupe, ndërsa në RTSH 3 dhe RTSH Sport do të vijnë Kosta Rika – Venezuela, Egjipt – Guatemalë, Lituani – Kazakistan dhe Uzbekistan – Rusi, kuptohet me të tjera emocione.