RTSH Sport Live

Bajern rinovon me pasuesin e Nojerit

  • 12/04/2024
  • |
  • Gjermani
Bajern rinovon me pasuesin e Nojerit
Aleks Nybel firmos deri më 2029 dhe do të vazhdojë huazimin te Shtutgart

Bajern ka rinovuar kontratën me portierin Aleksander Nybel deri në vitin 2029. Ai shihet si pasardhësi i Manuel Nojer dhe do të qëndrojë edhe dy vjet i huazuar te Shtutgart deri në tërheqjen e kapitenit.

Bajern i Mynihut ka rinovuar kontratën me portierin Alexander Nübel deri në vitin 2029, por ai do të vazhdojë të qëndrojë i huazuar te Shtutgart edhe për dy vite të tjerë, në pritje të tërheqjes së kapitenit Manuel Neuer. Bajern e mori portierin nga Shalke më 2020 por në pamundësi për t’i zënë vendin titullarit Neuer ai u largua vetëm një vit më pas, i huazuar te Monako në Francë, ku qëndroi du vjet, për t’u huazuar në fillim të këtij sezoni te Shtutgart.

Aktualisht ai është një nga protagonistët e sezonit fantastik të Shtutgartit që mban vendin e tretë, me pikë të barabarta me Bajern. Klubi bavarez vazhdon ta konsiderojë si pasardhësin e Neuerit në portë dhe ka rinovuar edhe për pesë vjet të tjerë, por edhe Neuer rinovoi më parë deri më 2025.

Ndaj Nubel, që nuk shihet si rezervë por pasues i Neuerit, do të qëndrojë i huazuar te Shtugtart e pakta deri në fund të sezonit të ardhshëm, e ndoshta deri më 2026, në varësi edhe të ecurisë së kapitenit.

Rinovimi deri në 30 qershor 2029 është edhe produkt i një analize të brendshme që Bayern i ka bërë tregut të portierëve në Evropë, me konkluzionin se 27-vjeçari është më i afti në kategorinë e moshës së tij.