RTSH Sport Live

Bajern, Tuhel i hap derën qëndrimit

  • 04/05/2024
  • |
  • Gjermani
Bajern, Tuhel i hap derën qëndrimit
Trajneri thotë se asgjë nuk përjashtohet, drejtuesit e klubit nuk janë prononcuar

Pas shumë kërkimesh për trajner, Bajern mund të vazhdojë sërish me Tomas Tuhel, i cili nuk e ka mbyllur përfundimisht derën. Ai nuk përjashton asgjë, por tani pritet reagimi i drejtuesve të klubit bavarez.

Tomas Tuhel nuk e ka përjashtuar plotësisht qëndrimin te Bajern i Mynihut edhe për sezonin e ardhshëm. Klubi dhe trajneri ranë dakord në shkurt që ta ndërprisnin një vit më herët kontratën midis tyre, duke parë rezultatet por edhe stilin e varfër të lojës së skuadrës. Që atëherë, Bajern ka qenë në kërkim të trajnerit pasardhës, por pa arritur në asnjë konkluzion.

Pas refuzimit nga Xavi Alonso, Julian Nagelsman e Ralf Rangnik, që vendosën të vazhdonin projektet e nisura përkatësisht me Bajer Leverkuen, kombëtaren e Gjermanisë dhe kombëtaren e Austrisë, edhe Roberto De Zerbi duket se do të qëndrojë te Brighton, duke mos u joshur nga persektiva e drejtimit të Bajernit në Gjermani apo të Milanit në Itali.

Ndërkaq, që nga njoftimi për ndarje midis klubit e Tuchelit, skuadra ka pasur rritje dhe ndërsa titulli iku në favor të Leverkusenit, Bajern është në gjysmëfinale të Champions League dhe të mërkurën luan për finalen në Santiago Bernabeu kundër Real Madridit. Loja gjithashtu ka ndryshuar dhe për shumë tifozë Tuchel është më i mirë se secili prej kandidatëve.

Trajneri e kishte përjashtuar më herët mundësinë që vendimi i shkurtit të ndryshonte, por në konferencën e djeshme për shtyp tha se asgjë nuk përjashtohet në futboll, duke i lënë derën hapur qëndrimit, ashtu si Xavi Hernandez te Barcelona.

Gjithsesi janë dy raste të ndryshme, pasi Xavi dha dorëheqjen por drejtuesit e klubit gjithmonë shpresuan që ai të ndryshonte mendje. Te Bajern drejtuesit nuk kanë shfaqur lëkundje deri tani, por pas dekalratës së djeshme të Tuchelit tani topi është në fushëne  tyre.