RTSH Sport Live

Ballkani, fitues i Kupës së Kosovës

  • 22/05/2024
  • |
  • Kosova
Ballkani, fitues i Kupës së Kosovës
Të besuarit e trajnerit Ilir Daja kanë triumfuar pas gjuajtjeve të penalltive

Ballkani i Ilir Dajës rrëmben një tjetër trofe, është fitues i Kupës së Kosovës për sezonin 2023/2024. Skuadra nga Suhareka mposhti në finalen Prishtinën, në një sfidë që u zgjidh pas gjuajtjeve të penalltive. Koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 2-2.

Të besuarit e Ilir Dajës shënuan fillimisht me Hamidin, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh 1-0. Pjesa e dytë nisi me vonesë pasi tifozët e Prishtinës goditën portierin e suharekasve, Enea Koliqi. Më pas Korenica shënoi dhe golin e dytë për Ballkanin duke dhënë pamjen e një ndeshje të përfunduar.

Megjithatë, Prishtina u rikthye në lojë me një dopietë të Albin Krasniqit duke vendosur barazpeshën 2-2. Edhe në shtesë gjithçka mbeti e barabartë, ndërsa në “llotarinë” e gjuajtjeve të penalltive, lojtarët e Ballkanit u treguan më të saktë për një sukses 4-2.