RTSH Sport Live

Ballkaniku i Karatesë në Tiranë

  • 22/09/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Ballkaniku i Karatesë në Tiranë
Ky kampionat një provë për Shqipërinë për organizime më të mëdha ndërkombëtare

Kampionati Ballkanik i Karatesë për të rritur dhe veteranë vjen për herë të parë në Tiranë dhe në sallën olimpike “Feti Borova”. Mbi 360 sportistë që përfaqësojnë jo vetëm Shqipërinë e Kosovën, por dhe Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinë, Greqinë, Turqinë, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë etj kanë bërë të kënaqur presidentin e Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Baba.

"Federata Ballkanike na e besoi këtë aktivitet dhe besoj e shpresoj se ka dalë shumë mirë", thotë presidenti i karatesë shqiptare.

Por më i kënaqur me organizimin e Shqipërisë është presidenti i Federatës Ballkanike të Karatesë, Davor Çipek, që mendon se tashmë vendi ynë ka të tjera mundësi organizimi.

 “Unë jam shumë i mrekulluar me organizimin e Shqipërisë dhe të Tiranës. Por mbi të gjitha atë që ka bërë miku ynë Petrit Baba. Një nivel i lartë organizimi dhe mikpritje e mendoj se të gjithë do të ndihen të lumtur në Tiranë. Me këtë që shoh nuk do të jetë e largët dita që Shqipëria të bëjë dhe aktivitete më të mëdha. Dhe besoj se e meriton”

Por çfarë pret Baba nga përfaqësuesja e Shqipërisë në këtë Ballkaniadë?

"Shpresojmë që të marrim edhe dy-tre medalje ari në këtë aktivitet. Ne shpresojmë, por sporti gjithmonë ka surpriza dhe gjëra të tjera", thekson Petrit Baba.

A është ky Ballkanik një provë që Shqipëria të mund të bëjë të aktivitete më të mëdha ndërkombëtare?

"Natyrisht që është një provë, një sfidë. Që të marrim një kampionat Europian ajo do të jetë sfida e radhës. Të paktën këtë kërkoj sa të jem unë në drejtimin e Federatës Shqiptare të Karatesë. Pra që të bëjmë një aktivitet më të madh se ky", përfundon Petrit Baba.

Kampionati Ballkanik i të rriturve dhe veteranëve përfundon më 24 shtator.