RTSH Sport Live

Basketboll Femra/Partizani fiton Kupën e Shqipërisë

  • 29/04/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll Femra/Partizani fiton Kupën e Shqipërisë
Skuadra e kuqe ka mundur në finale Flamurtarin me një rezultat 89-85

Partizani është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, pasi mundi në finale Flamurtarin me rezultatin 89-85. Një ndeshje e luftuar në “Dhimitraq Goga” në Durrës, ku të dyja skuadrat treguan se kanë mbërritur me meritë deri këtu.

Partizani kishte një epërsi në pjesën më të madhe të ndeshjes, por pa arritur të krijojë ndonjë diferencë të madhe në pikë ndaj kundërshtarit. Nga ana tjetër, Flamurtari arriti të përmbysë të gjitha parashikimet në periodën e katërt, duke krijuar përshtypjen se do të triumfonte në përfundim.

Por në momentet e fundit, skuadra e kuqe arriti të shfrytëzojë mundësinë e krijuar duke e çuar takimin në kohën shtesë. Nuk ka munguar dhe tensioni në momentin final, me trajnerin e Flamurtarit protagonist, ndërsa Partizani ka shfrytëzuar mundësinë për të kompletuar suksesin me një rezultat 89-85, duke i dhënë fund pritjes së gjatë pa trofe.