RTSH Sport Live

Bayern, bisedime me Vincent Kompany

  • 21/05/2024
  • |
  • Gjermani
Bayern, bisedime me Vincent Kompany
Belgu shfaqet si kandidat për stolin bavarez pas refuzimeve të shumta

Trajneri i Burnleyt, Vincent Kompany, është shfaqur si kandidat për të pasuar Tomas Tuhel në stolin e Bayernit. Skuadra e tij ra nga Premier League pas një sezoni aty, por 38-vjeçari ka simpatizues për mënyrën e lojës.

Pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme për të gjetur trajnerin e ri, Bajern i Mynihut ka tashmë belgun Vincent Kompany si kandidatin kryesor për të zënë vendin e Tomas Tuhel në sezonin e ardhshëm. 38-vjeçari është trajner i Burnleyt në Angli, me të cilin qëndroi vetëm një sezon në Premier Leaguer, për t’u rikthyer një kategori më poshtë. Por, pavarësisht rënies, Kompany ka simpatizuesit e tij si trajner, që i vlerësojnë stilin e lojës dhe me mendimin se mund të bëjë shumë më mirë me një organikë më të pasur lojtarësh.

Kompany, aktualisht me pushime, është diskutuar në bordin e Bajernit dhe dje është kontaktuar nga drejtori sportiv Maks Eberl dhe kanë biseduar për mundësinë e uljes në stolin bavarez. Shefat e Bajernit e shohin si trajner me potencial për të ardhmen, ndërkohë që alternativat janë pakësuar shumë, me disa refuzime si dhe me disa kandidatura që vetë klubi nuk i ka marrë në konsideratë, si Murinjo apo Zidane, ky i fundit kryesisht për shkak të gjuhës.

Ndryshe nga francezi, që nuk flet gjermanisht apo anglisht, Kompany flet gjashtë gjuhë, përfshirë gjermanisht, anglisht e spanjisht përveç frëngjishtes, çka do të bënte që të mos kishte asnjë problem komunikimi në rast se do të arrihej marrëveshja. Veç belgut, Bayern ka në listë një tjetër trajner nga Premier Peague, danezi Tomas Frank i Brentfordit.