RTSH Sport Live

Bayern, edhe Coman me valixhet gati

  • 11/04/2024
  • |
  • Gjermani
Bayern, edhe Coman me valixhet gati
Francezi nuk është pjesë e listës së pesë lojtarëve të shpallur të patransferueshëm nga gjermanët

Pavarësisht një kontrate deri në qershor 2027, anësori sulmues francez i Bayern, Kingsley Coman (27 vjeç, 16 ndeshje dhe 3 gola në Bundesligë këtë sezon) mund të largohet nga bavarezët gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme. Sipas informacioneve të publikuara nga Bild, klubi kampion në fuqi është gati të negociojë largimin e francezit në rast të një propozimi që kap vlerën e 70 milionë eurove, shpenzim që mund ta përballojë vetëm një klub anglez.

Nga ana e tij, ish-parisieni nuk po i mbyll derën një transferimi dhe ndihet i aftë për të përballuar një sfidë të re në Angli apo Spanjë. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse një klub i madh anglez apo spanjoll do të jetë i prirur për të bërë një investim të tillë për Coman, i cili është prekur shumë shpesh nga dëmtimet vitet e fundit.

Francezi nuk është pjesë e listës së pesë lojtarëve të shpallur të patransferueshëm nga gjermanët, ku Tel është i pranishëm, së bashku me një tjetër lojtar të ri në rritje, Aleksandar Pavlovic dhe veteranët Thomas Müller, Harry Kane dhe Manuel Neuer. Çuditërisht, nuk ka asnjë Jamal Musiala në listë, i cili mund të jetë subjekt i një ankandi gjatë verës, si dhe Kimmich, de Ligt, Gnabry, Goretzka, Sané dhe vetë Coman.