RTSH Sport Live

Besëlidhja fiton aktin e parë

  • 15/05/2024
  • |
  • Basketboll
Besëlidhja fiton aktin e parë
Mund Teutën 103-72 në sfidën finale që erdhi drejtpërdrejt në RTSH

Basketbolli shqiptar i meshkujve ka nisur të mërkurën betejën e tij finale, teksa Besëlidhja dhe Teuta do të përballet me njëra-tjetrën për titullin "kampion". Ky titull sigurohet nga skuadra që fiton 4 nga 7 përballjet e këtij dueli dhe takimi i parë, që është luajtur në mbrëmje, është fituar bindshëm nga skuadra lezhjane e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali.

Në fakt, sfida që u zhvillua në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë "Feti Borova" në Parkun Olimpik të Tiranës dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në RTSH Sport, ka patur dy tablo. Ka qenë skuadra durrsake që e ka nisur më mirë, duke e fituar 10-minutëshin e parë, 22-17 dhe duke vijuar të mbizotërojë, duke e fituar edhe 10-minutëshin e dytë 23-21.

Kështu, është Teuta që shkon në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 7 pikë epërsi, në shifrat 45-38. Por Besëlidhja ka dalë një skuadër e tjetërsuar nga dhomat e zhveshjeve, duke bërë një 5 minutësh të vrullshëm, teksa ka kapërcyer këtë deficit prej 7 pikësh, duke e fituar bindshëm këtë fraksion të 3-të loje me shifrat 38-11 dhe duke përmbysur gjithçka, teksa kryesoi pas një gjysmëore lojë me rezultatin 76-56.

Dhe skuadra e Bilalit nuk do të ndalet, duke mos e ulur ritmin as në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, të cilin e ka fituar me 11 pikë epërsi, 27-16, dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 103-72 dhe duke fituar kështu edhe aktin e parë të këtij dueli final të koshit të meshkujve.