RTSH Sport Live

Bisek pranë Kombëtares, tregon për telefonatën e marrë nga Nagelsman

  • 05/12/2024
  • |
  • UEFA Champions League
Bisek pranë Kombëtares, tregon për telefonatën e marrë nga Nagelsman

Për Jan Aurel Bisek e shkuara tregon shumë dhe nëse një ditë do ta shikoni me fanellën e katër herë kampionëve të botës nuk duhet të habiteni.

24-vjeçari debutoi në Bundesligë me Këlnin kur ishte vetëm 16 vjeç, 11 muajsh e 28 ditësh, por më pas për të luajtur iu desh që të kalonte nga Kil, Kerkrade (Holandë), Gimaresh (Portugali), Arhus (Danimarkë) dhe Milano ku luan tani aktivizohet për Interin.

“As që e kisha ëndërruar debutimin në moshë aq të re në Bundesligë. Por më duhet të jem i ndershëm dhe të pranpj se e bëra sepse kishim disa lojtarë të dëmtuar. Pas atij momenti gjithçka u vështirësua disi”, tregon Bisek në një intervistë për “Sport Bild”.

Mes të tjerash mbrojtësi 24-vjeçar tregon se forma e mirë e treguar me Interin i ka bërë përshtypje edhe komisarit teknik të Gjermanisë. “Mes meje dhe Nagelsman ka patur një shkëmbim mesazhi dhe një telefonatë. Kur dëgjova në telefon: ‘Ç’kemi, Julian Nagelsman po të të telefonon’, mu mbush zemra me gëzim. Jam shumë i gëzuar, por për momentin jam ende në rritje dhe s’mund të them se duhet të kisha marrë kohë më parë një ftesë në Kombëtare. Gjermania ka disa mbrojtësa të mëdhenj dhe mua më duhet ende rrugë që të marr një ftesë”, tha Bisek, i cili për shkak të prejardhjes ende nuk ka debutuar në arenën ndërkombëtare pasi përveç Gjermanisë mund të zgjedhi edhe Kamerunin.