RTSH Sport Live

Botërori 2030, shtohet numri i kandidatëve

  • 04/10/2022
  • |
  • Futboll Bota
Botërori 2030, shtohet numri i kandidatëve
Spanja dhe Portugalia kandidate. U bashkohet edhe Ukraina

Prej disa kohësh Spanja dhe Portugalia janë bashkuar në përpjekje për të marrë organizimin e Kupës së Botës 2030. Vendi i parë e ka pritur vetëm një herë, një Kupë Bote, në vitin e lavdishëm 1982, ndërsa shteti i dytë asnjëherë më parë. Por surprizë është fakti që këtyre dy shteteve iu bashkohet edhe një mysafir, Ukraina. Të mërkurën në Nyon, presidentët e dy federatave iberike të futbollit, Luis Rubiales dhe Fernando Gomes, pas një takimi me presidentin e UEFA-s, Aleksandr Ceferin, do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën, sipas asaj që u zbulua paraprakisht nga The Times, do të prezantojnë zyrtarisht kërkesën e tyre si dhe do të zbulojnë kandidaturën e vendit të pushtuar nga Rusia.

Sipas gazetës angleze, Ukraina do të presë ndeshjet e një prej grupeve pjesëmarrëse në botëror, një informacion që Federata Spanjolle e Futbollit nuk ka dashur ta mohojë. Kjo ide ka patur mbështetjen e kryeministrit ukrainas Volodymyr Zelensky duke përforcuar faktin se futbolli mund të ndihmojë në kthimin e paqes dhe shpresës. Sa i përket Kupës së Botës, pas edicionit në Katar që do të fillojë pas një muaji e gjysmë, radha do të jetë e Amerikës, e cila në vitin 2026 do të organizojë turneun së bashku me Meksikën dhe Kanadanë.

Për vitin 2030, përveç kandidaturës iberike, ekziston një ide e Amerikës së Jugut, e cila kërkon të festojë 100-vjetorin e Botërorit të parë të Futbollit, që u luajt në Uruguai, një vend që do t'i bashkohej Argjentinës, Kilit dhe Paraguajit për të menaxhuar një turne gjithnjë e më të madh. Një variant i tretë është ajo e një treshe jonormale: Greqia, Egjipti dhe Arabia Saudite, kjo kandidaturë ende e paformalizuar.