RTSH Sport Live

Botërori i Peshëngritjes, zhgënjen Briken Calja

  • 09/12/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Botërori i Peshëngritjes, zhgënjen Briken Calja
I katërti në shkëputje me 153 kilogram, më pas dështon në stilin e shtytjes me 183 kilogram

Kampionati Botëror i Peshëngritjes për të rritur, i cili është duke u zhvilluar në Bahrein, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme për shtangën shqiptare. Briken Calja, edhe për shkak të dëmtimit në krahun e djathtë dhe në shpinë, nuk ka mundur ta çojë deri në fund konkurrimin e tij. Që do të thotë se nuk është klasifikuar as në shtytje, ndërsa ka dështuar në tre tentativat e tij me 183 kilogram, por as në dygarësh.

Në fakt edhe ne shkëputje, të cilën e përfundoi me 153 kilogram duke u renditur i katërti, vetëm një kilogram larg medaljes së bronztë, e ka patur të vështirë. Sepse nuk ka mundur të realizojë fillimisht në dy tentativa 152 kilogram. Megjithatë garat i kanë të tilla surpriza jo të mira, pavarësisht formës së mirë që Calja ka treguar në stërvitje.

E marta do të jetë për Erkand Qerimajn dhe Kristi Ramadani, të cilët do të konkurrojnë në Baterinë B të peshës deri në 81 kilogram. Gjithçka ndodh në ora 10:30 me të Tiranës, ndërsa ky është aktiviteti i fundit i peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare për vitin 2024.