RTSH Sport Live

Çeferin: Nuk kam asnjë problem me Realin

  • 18/05/2022
  • |
  • Futboll Bota
Çeferin: Nuk kam asnjë problem me Realin
Presidenti i UEFA –s flet për finalen e Ligës së Kampioneve, nuk bën parashikime

Presidenti i UEFA -s, Aleksander Çeferin, ka theksuar se ai nuk kishte asnjë problem me Realin e Madridit, pavarësisht rolit kryesore të skuadrës spanjolle në përpjekjen për të krijuar Superligën evropiane. “Nuk kam probleme me Realin e Madridit”, - ka deklaruar ai, duke folur për një media sllovene në Internet. “Nuk kam asnjë kontakt me drejtuesit e klubit për momentin, por prania e Realit të Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve është dëshmi se sa të pastra janë garat e UEFA-s, - ka vijuar kreu i organizimit që qeveris futbollin kontinental. - Reali i Madridit dhe Barcelona janë në finalet e meshkujve dhe femrave. Askush nuk ka ndërhyrë. Do të vijë koha kur këto gjëra do të sqarohen, por sigurisht që nuk do të jenë në fushë.”

Këto deklarata të presidentit të UEFA-s vijnë vetëm 10 ditë para finales së madhe të Ligës së Kampioneve, aty ku madrilenët do të përballen me Liverpulin. Çeferini ka veçuar madje dy lojtarë të Realit të Madridit, duke thënë: “Ata kanë të mrekullueshmin Karim Benzema, për të cilin unë e kam thënë shpesh se, për mendimin tim, është një nga lojtarët më të nënvlerësuar në historinë e futbollit. Kurse për Luka Modriçin, duke se, sa më shumë kalon koha, aq më i mirë bëhet ai.” Kreu i organizmit evropian i ka thurur lavde edhe Liverpulit, por nuk ka pranuar të parashikojë një fitues në finalen e 28 majit. “Ata kanë lojtarë më të rinj, por edhe përvojë të vyer për një finale, - ka thënë Çeferini. - Nuk guxoj të parashikoj një fitues, sepse, siç e do rregulli, unë jam një gjykatës i keq. Por do të jetë padyshim një finale e jashtëzakonshme.”

Pas deklaratave të Jurgen Klopit për shpërndarjen e bileteve të finales së Ligës së Kampioneve, presidenti i UEFA-s deklaroi se kishte kontaktuar me trajnerin e Liverpulit. “E kam telefonuar dhe kam folur me Jurgen Klopin, sepse isha i zemëruar me fjalët e tij, shpjegoi Çeferini. - Por tani ai e kupton. Ai e pranoi se nuk kishte patur informacionin e duhur dhe, në njëfarë mënyrë, shprehu keqardhjen për fjalët e tij”, - përfundoi Presidenti i UEFA -s, Aleksander Çeferin.