RTSH Sport Live

De Ligt: Sarri më përmirësoi, Bayerni synon fitoren ndaj Lazios

  • 12/02/2024
  • |
  • Futboll Bota
De Ligt: Sarri më përmirësoi, Bayerni synon fitoren ndaj Lazios

Matthijs de Ligt, ish-mbrojtësi i Juventusit që tani luan për Bayernin e Mynihut ka dhënë një intervistë për 'Gazzetta dello Sport'. Futbollisti holandez do të përballet me Lazion në “Olimpico” pas dy ditësh në ndeshjen e parë të 1/8-ve të finales së Ligës së Kampionëve:

“Do të duhet të jemi në formën maksimale në të gjitha aspektet: mbrojtje, luftë me dhe pa top, intensitet, duele. Ne e dimë që Lazio do të japë 200% dhe duhet të jemi në 200% për të fituar. Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër një ekipi që luan mirë. Unë e njoh shumë mirë trajnerin, e kam pasur te Juventus. Ai gjithmonë dëshiron të luajë me 'skema të provuara', shumë taktikë dhe intensitet."

Gjatë intervistës, de Ligt u fokusua gjerësisht tek Sarri, ish-trajneri i tij: "Ai është një trajner që punon gjithmonë shumë, madje edhe personalisht me lojtarët. Ai kërkon gjithmonë maksimumin në çdo stërvitje. Më bëri një lojtar shumë më të mirë. Mësova shumë, veçanërisht në lojën në mbrojtje. Më parë, forca ime ishte të luaja një kundër një, te Juventus ne luanim më shumë në zonë, ajo që kishte rëndësi ishte momenti për t'u kthyer prapa, për tu ngjitur. Duke luajtur i gjithë reparti mbrojtjës."

De Ligt më pas foli për duelin e titullit që përfshin edhe Juventusin: "Interi është i fortë, më i fortë se vitin e kaluar kur arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, por shpresoj që Juve ta fitojë titullin".

Ndeshjen Lazio-Bayern Mynih mund ta ndiqni drejtëpërdrejt në Radio Televizionin Shqiptar të mërkurën e 14 shkurtit.