RTSH Sport Live

Debutim trajnerësh në derbi

  • 19/09/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Debutim trajnerësh në derbi
Veselinoviç dhe Shkëmbi do të përballen për herë të parë të shtunën

Derbi i së shtunës do të jetë i pari për trajnerët e Partizanit dhe Tiranës, Veselinoviç e Shkëmbi. Secili ka problemet e tij për të zgjidhur dhe duhet ta bëjë në një ndeshje ku presioni është më i lartë se kudo.

Derbi i së shtunës midis Partizanit e Tiranës do të jetë i pari për trajnerët e secilës prej skuadrave, Aleksandar Veselinoviç e Blendi Shkëmbi. Për këtë të fundit do të jetë derbi i parë në karrierë, ndërsa Veselinoviç e ka provuar eksperiencën në derbi, në sezonin 2019-20 kur edhe ka fituar me Çukariçkin kundër Partizanit të Beogradit. Përballja e parë midis tyre mund të jetë përcaktuese për të ardhmen e secilit, pasi ndeshja është tepër delikate për tifozët dhe drejtuesit e klubevet që me vështirësi i gëlltisin disfatat në derbi.

Situata mund të jetë më delikate për Shkëmbin, që në krye të Tiranës nuk e ka provuar ende shijen e fitores dhe mosarritja e suksesit të shtunën mund të mbushë kupën e durimit, edhe nëse ruan pathyeshmërinë. të dyja skuadra shënojnë, por edhe pësojnë lehtësisht gola, shpesh duke shfaqur brishtësi në minutat e fundit.

Derbi mund të jetë shansi i fundit për secilin për të ndrequr qëndrimin e skuadrës në fushë, ndërkohë që fitorja do t’i jepte secilit qetësinë aq të nevojshme dhe uljen e presionit për të vazhduar normalisht punën.