Një tjetër episod i shëmtuar bëhet kryefjalë e fundjavës në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar. Kategoria e dytë është tronditur nga një ngjarje e rëndë që mund të kishte përfunduar në targjedi.
Gjatë ndeshjes Delvina-AF Elbasani, arbitri kryesor Xhulio Agolli u godit me sende të forta pasi u kontestua gjatë nga futbollistët vendas për një 11-metërsh të pretenduar prej tyre, por që ai nuk e akordoi. Episodi u regjistrua në minutën e 50-të të takimit, teksa lojtarët vendas rrethuan gjyqtarin fierak, ndërsa nga jashtë fushës u lëshuan sende të forta dhe një prej tyre goditi në kokë “xhaketën e zezë”.
Siç duket edhe nga pamjet, arbitri është rrëzuar dhe më pas u transportua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Ndeshja u ndërpre në minutën e 50-të dhe Komisioni i Disoplinës do të marrë një vendim jo vetëm për fitoren në “tavolinë” të Elbasanit, por edhe për një dënim të mundshëm të fushës së Delvinës.