RTSH Sport Live

Dinamo bie në shtëpi, Apolonia i rrëmben tri pikët

  • 12/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Dinamo bie në shtëpi, Apolonia i rrëmben tri pikët
Takimi i fundit i javës së 19-të, Dinamo-Apolonia 2-3, erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Apolonia ka mposhtur Dinamon 3-2 të dielën pasdreke në kryeqytet në takimin e fundit që mbylli javën e 19-të të Kategorisë së Parë. Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, pa fierakët të kalonin të parët në epërsi në minutën e 8-të.

Por pjesa e parë do të mbyllet në barazim 1-1, sepse Marku do të gjejë në minutën e 31-të golin për blutë kryeqytetas.

Pjesa e dytë do të shohë lojë të hapur dhe të luftuar nga ana e të dyja skuadrave. Sidoqoftë, Apolonia do të kalojë sërish në epërsi, kur Omeri do të tregohet i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 66-të.

Minuta e 73-të do të rikthejë barazpeshën në shifra, pasi Dikson e dërgon topin në rrjetë pas një goditjeje me kokë.

Sidoqoftë, 5 minuta para fundit të kohës së rregullt, fierakët rikthehen në epërsi, kur Ndubuisi godet me kokë pas një harkimi në zonë dhe mposht portierin Dani.

Nuk ka më gola deri në fund, përtej 7 minutave shtesë, dhe Apolonia e mund Dinamon 3-2, duke i shkaktuar asaj humbjen e parë në dy takimet e drejtuara nga trajneri i rikthyer, Dritan Mehmeti, dhe duke i dhënë një goditje shpresave të bluve në betejën për kreun.