RTSH Sport Live

Dinamo, fitore karakteri në Vlorë

  • 20/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Dinamo, fitore karakteri në Vlorë
Mposht 1-0 Flamurtarin mes polemikave dhe tensionit, rikthehet në betejën për kreun

Java e 20-të e Kategorisë së Parë është mbyllur të hënën në mbrëmje, me ndeshjen e fundit të saj, atë që u luajt në Vlorë midis Flamurtarit dhe Dinamos. Në fakt, kjo përballje, e luajtur në Stadiumin "Flamurtari", ka patur dy tablo të ndryshme sa u përket dy pjesëve të saj të lojës, pasi ajo e para ka qenë tepër e vaktë dhe vetëm dy raste vlejnë të përmenden, ajo goditje brenda zone e Fernandos në minutën e 28-të dhe ajo nga jashtë zone e Oliveiras 14 minuta më pas. Kështu, me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para, por gjysma e dytë e atyre të dytave ka qenë e mbushur me nervozizëm, si sa i përket fushës së blertë, ashtu edhe sa i përket shkallëve të stadiumit.

Ndërkaq, 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, Dinamo do të fitojë një 11-metërsh të diskutueshëm, që do të shndërrohet në gola nga Denilson, duke i kaluar kryeqytetasit në epërsi përkundër nxehjes së mëtejshme të gjakrave. Përtej kartonave të kuq që janë dhënë në drejtim të protagonistëve të stolave të të dyja skuadrave, Dinamo e ka mbrojtur deri në fund fitoren minimale, por mjaft të vyer, duke u hakmarrë deri diku për atë humbje të turpshme, 1-5, të pësuar në fazën e parë në fushën e vet dhe duke kapërcyer mbi Flamurtarin në renditje. Vlonjatët mbeten në vendin e 3-të, në kuotën e 35 pikëve, dy më pak sesa Dinamo dhe 3 më pak sesa Skënderbeu kryesues.