Dinamo gjen fitoren e parë në drejtimin e trajnerit Ilir Daja. Pas barazimit 2-2 në derbi me Partizanin, blutë kanë arritur të marrin një fitore 2-1 përballë Skënderbeut në javën e pestë të “Abissnet Superiore”, që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH2.
Në pjesën e parë të besuarit e Dajës arritën të gjejnë golin që në minutën e 6-të me anë të Zabërgjës, por në pjesën e dytë korçarët u përgjigjën me një gol të Rashicës 54’ të shënuar nga pika e penalltisë.
Në fundin e takimit, atëherë kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazpeshë, ka mbërritur goli i fitores për Dinamon. Një rivënie e gabuar e korçarëve i ka dhënë mundësinë Mandelës të shfaqet i vetëm në zonën e korçarëve dhe nuk ka gabuar. Goditje e saktë dhe 2-1 për një fitore në limite.