Dinamo me “trofeun” e Kampiones së Dimrit, ndërsa me fitoren ndaj Luzi 2008, 2-1 në stadiumin “Selman Stërmasi”, e mbyll fazën e parë si kryesuese me 27 pikë. Gjithçka ka ndodhur në sfidën që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Madje konsiderohet fitore personale e Redon Danajt, që me dygolëshin e tij i ka dhënë fitoren bluve, të cilët në mungesë të trajnerit Nevil Dede, kjo për arsye personale, janë drejtuar nga Edmond Dalipi.
Blutë e nisin shpejt sfidën, ndërsa në të 3’ kanë kaluar në avantazh me anë të Danajt, që ka shfrytëzuar pasimin e artë të Denison. Luzi 2008 i afrohet golit të barazimi në të 12’, por krosimi i rrezikshëm nga këndi i Spahiut nuk është shfrytëzuar nga askush. Një gol i mohuar për blutë, të paktën kështu vërtetojnë dhe pamjet filmike. Sepse goditja “bombë” e Denison ka goditur traun e portës së miqve dhe ka rënë pingul mbi vijën “fatale”, por duke qenë thuajse brenda portës. Veçse gjithçka është konsideruar e rregullt për gjyqtarët, të cilët më pas kanë gabuar në mosdhënien e një goditje dënimi për Dinamon, apo dhe në një penallti për Luzi 2008. Megjithatë përtej këtyre rasteve, Dinamo e ka gjetur dhe golin e dytë, që përsëri mban firmën e Danajt, i cili në të 36’ ka shfrytëzuar pasimin e Bardhit.
Pjesa e dytë nis ndryshe dhe në të 53’ Luzi 2008 ngushton rezultatin me Merdinin, i cili i ndihmuar dhe nga devijimi i Imamit, ka gjetur golin. Për kryeqytetasit rëndohen gjërat, ndërsa Vokrri në të 67’ ka marrë kartonin e kuq, pas dy të verdhëve. E megjithatë Dinamo ka rezistuar dhe ka provuar të godasë edhe një futbollist më pak. Kështu ka ndodhur në të 80’, ndërsa gjuajtjen e Preloshit e ka pritur në dy kohë Fuçia. Vurka ka patur shansin për të barazuar rezultatin, por ka qenë i pasaktë në goditjen me kokë. Edhe pas katër minutash shtesë rezultati nuk ka ndryshuar, ndërsa Dinamo i është gëzuar trepikëshit të radhës, që pas humbjes së Flamurtarit në Fier, 0-1, e shkëput me pesë diferencë nga vendi i dytë.
Në ndeshjet e tjera, teksa po ndiqni dhe rezultatet e javës së trembëdhjetë, bie në sy fitorja e Skënderbeut, 2-0 me Lushnjën, apo e Tomorit, po 2-0 me Turbinën. Po kështu ka fituar Burreli, 1-0 me Besën dhe i vetmi sukses në transfertë ishte ai i Korabit në Lezhë, 1-0. E paqtë ndeshja mes Orikut dhe Tërbunit, kurse Kategoria e Parë i drejtohet nga java e ardhshme pjesës së dytë të sezonit.
JAVA E 13-TË/28 JANAR 2023
DINAMO – LUZI 2008 2-1
BURRELI – BESA 1-0
BESËLIDHJA – KORABI 0-1
ORIKU – TËRBUNI 0-0
SKËNDERBEU – LUSHNJA 2-0
APOLONIA – FLAMURTARI 1-0
TOMORI – TURBINA 2-0