RTSH Sport Live

Distria Krasniqi, e artë në Paris

  • 04/02/2023
  • |
  • Kosova
Distria Krasniqi, e artë në Paris
Xhudistja pejane fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit

Distria Krasniqi nuk ndalet, fiton medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, në një nga garët më të rëndësishme të xhudos. 27-vjeçarja, në kategorinë deri në 52 kg në finale mposhti hungarezen Reka Pupp, duke kontrolluar duelin deri në fund, pa hasur në vështirësi. Më me shumë vlerë ishte fitorja në gjysmëfinale ndaj francezes Amandine Buchard, njërës prej më të mirave në këtë kategori. Me të artën, Distria fitoi edhe 1000 pikë në ranglistën botërore.

Të shtunën garuan edhe Laura Fazliu dhe Flaka Loxha. Laura garoi në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa në xhiron e dytë e kaloi xhudisten nga Kazakistanit, Samalay Yergaliyeva. Më pas ishte përballja me kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard, të cilën e humbi, me një vendim që u mor pas konsultimeve të shumta dhe që krijoi shumë dyshime.

Flaka Loxha garoi në kategorinë deri 57 kilogramë. Në xhiron e dytë mundi amerikanen Mariah Holguin, ndërsa u dorëzua përballë francezes, Priscilla Gneto.