RTSH Sport Live

Dita e Verës nën emocionet e çiklizmit

  • 13/03/2023
  • |
  • Evente Sportive
Dita e Verës nën emocionet e çiklizmit
Nxënësit e shkollave të Elbasanit bashkë me elitën për shpërndarjen e vlerave olimpike

Këngë, valle, hare dhe lule. Elbasani mirëpret në këtë mënyrë çiklistët në Kupën e Ditës së Verës, e cila është pjesë e aktiviteteve për atë që do të kulmojë më 14 mars. Jo vetëm aktivitete sportive, por dhe kulturore, ndërsa gara çiklistike është gërshetuar me vlerat olimpike, ndërsa nxënësit e shkollave 9-vjeçare të Elbasanit kanë sjellë flakën olimpike. Së bashku me Federatën Shqiptare të Çiklizmit dhe Bashkia e Elbasanit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar së bashku me Akademinë Olimpike, por klubi shumësportësh verdheblu. Por sa të rëndësishme janë sportet për Bashkinë e Elbasanit dhe çfarë vlere ka kjo garë për klubin shumësportësh verdheblu.

“Për të rritur një brez të mirë, sportet janë shumë të rëndësishme. Sporti po i mban larg veseve fëmijët dhe për këtë motiv ne si Bashki i kemi dhënë shumë prioritet”, tha në fillim të fjalës të tij, Gledian Llatja.

“Festa gërshetohet me sportin dhe dëshirën e njerëzve për të jetuar një ditë ndryshe. Për ne është një kënaqësi dhe një emocion i veçantë prandaj aktivitet si ky duhet të jenë më të shpeshta”, shtoi Artin Kovaçi.

Një garë demonstrative e nxënësve të shkollave 9-vjeçare me çiklistët profesionistëve, të cilëve u prinin ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, kryebashkiaku Gledian Llatja dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Biçikleta është pasion si për kryebashkiakun Llatja, ashtu dhe ministren Kushi

“Jam përdorues i biçikletës. Kemi bërë aktivitete të tilla edhe Ballkanike dhe sot (12 mars) po e bëjmë për Elbasanin, në kuadër të Ditës së Verës. Po çelim një event, i cili do të kulmojë të martën (14 mars) në eventin e madh që do të mbahet në Panairin e Sporteve”, shtoi kreu i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

“Puna më detyron që të mos ushtroj shumë aktivitet sportiv, por në evente si ky apo edhe në kohën e lirë gjithmonë përfitoj nga rasti për të bërë sporte të ndryshëm”, tha Ministria, Evis Kushi.

Në mënyrë simbolike Llatja, Kushi dhe Anxhaku kanë mbjellur lulen e tyre e më pas janë premiuar tre nxënësit fitues të shkollave 9-vjeçare, që vinin nga “Ptoleme Xhuvani”. Ata ishin Kristi Muça, Igli Kumbulla dhe Hasan Quku. Për ministren Kushi dhe për presidentin Anxhaku është shumë e rëndësishme që rinia të merret me sport.

“Ne vitet e fundit i kemi dhënë vëmendje të veçantë sportit jo vetëm duke shtuar zërin në buxhet, por edhe duke përmirësuar infrastrukturën. Duam që nxënësit dhe të rinjtë e të rejat të qëndrojnë më pranë sportit e ti largohen veseve dhe teknologjisë”, vazhdoi Kushi.

“Falenderoj Komitetin Olimpik dhe Akademinë Olimpike pasi sollën këtu sot edhe flakën olimpike dhe përfitoj nga rasti të falenderoj edhe Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve për mbështetjen që na kanë dhënë”, tha Skënder Anxhaku.

12.5 kilometra ishte gara e kadetëve me pesë xhiro në Bulevardin e Elbasanit dhe 25 kilometra e barasvlerëshme me 10 xhiro për të rinj dhe Elitë. Mikail Pali ishte fituesi i garës së kadetëve, Emil Priftaj për të rinj, Lukas Sula Kloppenborg për elitë dhe U-23, si dhe Klea Shehaj për femra, të cilët i kanë marrë trofetë nga një figurë e çiklizmit elbasanas, Sami Kotorri, dhe i futbollit shqiptar, Mihal Gjika.

“Ishte një garë shumë e fortë. Kisha rivalë gjatë garës dhe më pëlqeu shumë kompeticioni”, komentoi Lukas Sula Kloppenborg.

“Rivali më bëri që të jepja më të mirën gjatë garës”, nënvizoi Emil Priftaj.

Fundi i një trofeu të Ditës së Verës i gëzuar për të gjithë që i hap rrugën aktiviteteve të tjera të çiklizmit shqiptar. GJ.V.