RTSH Sport Live

Dortmund bën ligjin në “Olimpiastadion”, fiton Kupën e Gjermanisë

  • 13/05/2021
  • |
  • Gjermani
Dortmund bën ligjin në “Olimpiastadion”, fiton Kupën e Gjermanisë
Në finalen e transmetuar në RTSH Sport, Dortmund mposhti Leipzig me rezultatin 4-1

Borussia Dortmund bën ligjin në “Olimpiastadion” të Berlinit duke triumfuar për herë të pestë në Kupën e Gjermanisë. Finalja që ashtu si pjesa më e madhe e ndeshjeve të këtij sezoni u transmetua në RTSH Sport duke nisur që prej orës 20:45, foli për djemtë e Edin Terzic të cilët dominuan në cdo aspekt duke shkatërruar Red Bull Leipzig … në një 90 minutësh pa histori.

Lamtumirë e hidhur e Julian Nagelsmann nga stoli i “demave”, që nuk arritën të tregonin asgjë nga forca e skuadrës që rivalizoi gjatë pjesës më të madhe të sezonit Bayernin e Mynihut. Kjo është finalja e dytë ku Leipzig dështon pas asaj të dy sezoneve më parë ku ishin bavarezët që ju shkaktuan humbjen 3-0.

Gjithsesi, për të kthyer faqe, Nagelsman propozoi një skuadër më agresive me treshen Olmo-Hëang – Soerloth ndërsa Dortmund u prezantua me 3 fantastikët, Haland, Sancho e Reus në repartin e avancuar. Klas dhe talent në katërkëndëshin e gjelbër të Berlinit ku Borusia e ndërtoi suksesin në klasin e këmbëve të Jadon Sancho i cili gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e pestë të takimit.

Pas pasur mundësinë për të riorganizuar mendimet, Leipzig u vendos në vështirësi dhe i zakonshmi Erling Braut Haaland dyfishoi shifrat kur akrepat e orës nuk kishin prekur ende 30 minutëshin e lojës, ndërsa në mbylljen e pjesës së parë kishte kohë për një tjetër gol ku Jadon Sancho shtangu sërish Peter Gulacsin.

Në pjesën e dytë, dy gola të shënuar fillimisht nga Dani Olmo dhe më pas nga Haland, nuk e ndryshuan fatin e takimit që u mbyll në shifrat 4-1.

Ndeshje klasi nga djemtë e talentuar të skuadrës nga Dortmundi, të cilët sipas të gjitha gjasave do t’i japin lamtumirën ekipit në fund të këtij sezoni, për të bërë hapin e madh por duke lënë shenjën e tyre në një sezon me dritëhije. Në krahhun tjetër, Leipzig mbyll një cikël dhe tashmë duhet të hapë një kapitull të ri, ende në kërkim të trofeut të parë në Gjermani.