RTSH Sport Live

Dortmund ndalet nga Schalke, Bayern fiton dhe shkon në +2

  • 11/03/2023
  • |
  • Gjermani
Dortmund ndalet nga Schalke, Bayern fiton dhe shkon në +2
Bavarezët mposhtën Augsburgun 5-3 dhe kaluan +2 ndaj Dortmundit, i cili barazoi 2-2 në derbin me Schalke 04

Një fitore mjaft komode për Bayern, i cili mundi Augsburgun me rezultat 5-3. Bavarezët e arkivuan praktikisht fitoren që në 45 minutat e para. Megjithatë, sfida nisi më mirë për miqtë të cilët arritën të gjejnë avantazhin pas më pak se dy minutash me golin e Berishës, i cili ngrin “Allianz Arena”. Vendasit, me kalimin e minutave, nisën të marrin kontrollin e lojës dhe në minutën e 15-të gjejnë golin e 1-1 me Joao Cancelos, i pari me fanellën e Bayern. Tre minuta më vonë bavarezët përmbysën situatën me prekjen e Pavard në asistimin e Mané. Skuadra e Nagelsmann-it nuk ndalet dhe shënoi 3-1 në minutën e 36-të, sërish me një goditje të bukur të  Pavard. Pak para fishkëllimës së dyfishtë, vjen edhe goli i katërt i bavarezëve, të cilët thelluan rezultatin me Sané në minutën e 45-të.

Në pjesën e dytë, Augsburgu nuk u zhduk nga ndeshja dhe në minutën e 60-të mbylli diferencën në 4-2, me penalltinë e kthyer në gol nga Berisha, pas një faulli të de Ligt. Bayerni nuk e lë veten të befasohet, përkundrazi vazhdon të shtyjë: në minutën e 74-të protagonist është sërish Cancelo, me asistimin për golin e Davies. Në shtesë miqtë shënojnë sërish, por 5-3 e Cardona-s në minutën e 93-të shërben vetëm për statistikë. Përfundon 5-3, ku Bayern kryeson me 52 pikë.

Është mbyllur në barazim 2-2 derbi mes Schalke 04 dhe Borussia Dortmund. Pjesa e parë me ngjyra verdhezi, me skuadrën e Terzic që mban lojën dhe posedimin e topit për një kohë të gjatë, duke shmangur presionin e madh të vendasve. Verdhezinjtë arritën të shënojnë të parë në minutën e 38-të me Schlotterbeck, 0-1, rezultat që mbylli dhe pjesën e parë. Në fillim të pjesës së dytë, vendasit ishin më të gjallë, dhe golin e barazimit e gjetën në minutën e 50-të me goditjen e Bulterit në një asistim të Frey.

Barazimi zgjati vetëm tetë minuta, me Dortmundin që kaloi menjëherë në epërsi falë një përfundimi të mrekullueshëm nga Guerreiro. Në minutën e 79-të erdhi goli i 2-2, me një goditje të bukur me kokë të Karaman në krosimin e Bulter. Në finale verdhezinjtë tentuan të fitojnë, por ndeshja përfundoi në barazim. Dortmund u ngjit në 50 pikë, por tashmë është dy pikë prapa Bayernit. Një pikë e mirë për Schalken, e cila megjithatë mbetet në zonën e rënies, me 20 pikë.