RTSH Sport Live

Edy Reja, 41 vite karrierë, zbulon objektivat me Shqipërinë: Botërori 2022 ose Euro 2024

  • 04/12/2020
  • |
  • Kombëtarja
Edy Reja, 41 vite karrierë, zbulon objektivat me Shqipërinë: Botërori 2022 ose Euro 2024

Kur Edoardo Reja u ul për herë të parë në një pankinë, Zinedine Zidane dhe Pep Guardiola ishin përkatësisht shtatë dhe tetë vjeç, Jurgen Klopp ishte 11 vjeç dhe Julian Nagelsmann nuk kishte lindur akoma. Pas katër dekadash, 75-vjeçari është në punën e tij të 26-të si trajner, nivelet e motivimit të tij janë aq të larta, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.

Para prillit 2019, me përjashtim të një periudhe të shkurtër me skuadrën kroate, Hajduk Split, ai e kishte kaluar tërë karrierën e tij duke stërvitur klube italiane. Pastaj erdhi një sfidë e re ndërsa ai filloi punën në Shqipëri, emërimi i tij i parë në ekipin kombëtar. Pasi siguroi vendin e parë në grup, në Ligën e Kombeve, Reja tani po ëndërron ta çojë Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë.

Me shortin për Zonën UEFA fare pranë derës, ish-trajneri i Lazio, Napoli dhe Atalanta foli për FIFA.com për qëllimet e tij në rrugën për në Katar 2022 dhe mësimet që ka marrë gjatë karrierës së tij të gjatë. Shpreson të përfundojë karrierën me një arritje të madhe, pasioni për lojën e futbollit nuk ka ndryshuar kurrë.

Fituat grupin në Ligën e Kombeve dhe u ngjitët në Ligën B. Çfarë mësuat për ekipin tuaj gjatë garës?

Liga e Kombeve ishte një përvojë interesante. Çdo skuadër ka një qasje të ndryshme ndaj futbollit, që do të thoshte se ne duhet të adaptoheshim në  më shumë se një rast. Ne u përgatitëm mirë për ndeshjet tona dhe mora një përgjigje të mirë nga ekipi. Më pëlqen mënyra se si u adaptuam në taktika të ndryshme dhe më bëri përshtypje sjellja e lojtarëve të rinj, të cilët vërtetuan vlerën e tyre.

Ishte një kënaqësi e vërtetë, sepse duhet të pranoj që isha pak i druajtur para këtyre ndeshjeve. Për lojtarët e lindur midis vitit 1999 dhe 2001, të cilët nuk kanë shumë përvojë, skena ndërkombëtare mund të ketë qenë një perspektivë e frikshme. Përfaqësimi i vendit është një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e vështirë, por ata ishin shumë të guximshëm dhe “hynë në këpucët” e lojtarëve që ishin jashtë për shkak të Covid-19 dhe dëmtimeve.

A kishte ndonjë gjë që nuk ju pëlqente dhe po kërkoni ta përmirësoni para fillimit të kualifikueseve për Kupën e Botës?

Nuk më pëlqente fakti që humbëm përqendrimin pasi fituam një lojë dhe nuk treguam aq vendosmëri. Nuk mund të relaksohesh dhe të humbasësh përqendrimin në këtë nivel, sepse atëherë  ndaloni së dhëni gjithçka, gjë që i jep edhe kundërshtarit më të dobët mundësinë për t'ju goditur. Kur jemi të relaksuar na mungon agresiviteti që na duhet për të marrë rezultate. Ne e futëm veten në telashe kundër Bjellorusisë, duke pësuar një gol të çuditshëm pasi shkuam 2-0 në epërsi. Nëse duam të rritemi dhe të bëhemi më mirë, duhet t'i kushtojmë më shumë vëmendje dhe të jemi shumë më të përqendruar.

Shqipëria u kualifikua në EURO 2016 por nuk arriti të bënte të njëjtën gjë dhe në Rusi 2018 dhe EURO 2020. A mendoni se keni një shans realist për të arritur në Katar 2022?

Ne kemi treguar se jemi një skuadër konkurruese. Qëllimi ynë është të përmirësohemi sa më shumë që të jetë e mundur. Ne duhet të vendosim synimet tona për kualifikimin dhe ta bëjmë atë ëndrrën tonë, sepse ju duhet të besoni në objektivat tuaja. Nëse kjo skuadër beson dhe nëse ndjek udhëheqjen time, atëherë mund të arrijë gjëra të mëdha. Rruga jonë gjithashtu do të formohet nga shorti, por ëndrrat mund të bëhen realitet. Nëse nuk e besoni, atëherë nuk mund të bëni gjëra të mëdha.

Keni kaluar pjesën më të mirë të dy viteve në futbollin shqiptar. Deri ku mund të shkojë dhe çfarë përmirësimesh mund të bëni?

Futbolli shqiptar po rritet gjatë gjithë kohës dhe shoqata e futbollit meriton vlerësime për punën që ka bërë, veçanërisht përmes investimeve të saj në infrastrukturë dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe profesionale. Unë kam qenë në shumë ndeshje dhe niveli është i mirë, por taktika është një fushë ku ka vend për përmirësim. Ka shumë për të bërë në lidhje me mënyrën e të menduarit, planet e lojës dhe gjendjen e duhur.

Ju keni kaluar tërë karrierën tuaj duke trajnuar klube. Çfarë ju shtyu të merrni një punë të tilë, me një përfaqësuese?

Kam pasur një karrierë të gjatë si trajner, 41 vite bëj tani, dhe mendoj se kam marrë gjithçka që kam dashur nga futbolli me klube. Unë kisha arritur kufirin tim, megjithëse jo kur bëhet fjalë për motivimin dhe ambicien. Fillova me klube të vogla dhe gradualisht kalova në ekipe më të mëdha. Duhet të jem i sinqertë dhe të them se gjithmonë kam arritur rezultatet që doja. Unë kurrë nuk kam dështuar. Kishte ardhur koha për të thënë ‘ndalo’. Unë doja të stërvisja një ekip kombëtar sepse ishte pjesa e fundit e enigmës sime të futbollit.

Kur Shqipëria më bëri një ofertë, unë isha shumë i lumtur ta pranoja. Doja të dija se si është të stërvisësh një ekipi kombëtar dhe problemet që vijnë me të, sepse padyshim që nuk është e njëjta gjë si të stërvitesh një klub, ku lojtarët janë në dispozicionin tënd gjatë gjithë kohës. Me një ekip kombëtar, ju keni vetëm një javë ose dhjetë ditë për t'i stërvitur ata dhe duhet të jeni në gjendje të vlerësoni shpejt se kush është në formë dhe kush jo. Është punë mjaft stimuluese.

Keni punuar në shumë klube më të vogla dhe i keni ndihmuar ata të bëjnë shumë përparim. A e shihni këtë më shumë si një sfidë sesa marrjen e një klubi të madh dhe mbajtjen e tyre në krye?

Kur e fillova, doja të stërvisja klube të mëdha si Inter dhe Juventus. Por unë nuk kam stërvitur ekipe të vogla. Unë mora drejtimin e ekipeve që kishin hyrë në Serie B ose që kishin qenë vërtet duke luftuar në Serie A, si Bolonja, Genoa, Verona dhe Cagliari. Ata ishin klube të një standardi të caktuar dhe që po kalonin kohë të vështira.

Unë i kam arritur qëllimet e mia kudo që kam trajnuar. Kam marrë ekipe nga Seria B dhe ikam ngjitur në Serie A katër herë. Bëra përparim me Lazio dhe Napoli, të cilët i dërgova në Kupën UEFA [Europa League], e cila ishte mjaft e arritur. Kam marrë një kënaqësi të tmerrshme nga ajo dhe shpresoj që ky udhëtim i gjatë të përfundojë me Shqipërinë. Pse nuk duhet t’i dërgoj në Kupën e Botës ose EURO 2024 të paktën?

A jeni penduar gjatë karrierës tuaj të gjatë dhe a ka pasur gjëra për të cilat jeni me të vërtetë krenarë?

Nuk jam penduar sepse kjo jetë më ka dhënë gjithçka. Unë kam bërë një punë që e kam dashur. Kam luajtur futboll në nivelin më të lartë dhe më pas kam filluar profesionin e trajnerit. Kam bërë shumë sakrifica, por gjithmonë e kam dashur këtë punë. Jam po aq entuziast për të, sa isha kur fillova. Është një sport me të cilin kam qenë gjithmonë i dashuruar dhe jam akoma këtu pavarësisht moshës. Unë jam i ri në zemër dhe ndihem i fortë.

Arritja ime më e madhe ishte marrja e Napolit gjatë gjithë rrugës nga Seria C në Serinë A dhe Kupën UEFA, të gjitha në tre vitet. Ata ishin tre vite në parajsën e futbollit. Njerëzit atje kanë kaq shumë entuziazëm dhe ata jetojnë dhe marrin frymë nga futbolli. Ndihem me fat sepse kam bërë punën që gjithmonë e kam dashur dhe nuk jam penduar për asgjë që kam bërë.

Keni trajnuar qindra lojtarë në 40 vitet e fundit. Me cilët keni pasur një marrëdhënie të veçantë dhe ju kanë lënë përshtypjen më të madhe?

Nuk mund t'ju them se me sa trajnerë dhe lojtarë kam kaluar shumë mirë dhe që ende më telefonojnë. Do të ishte një listë e gjatë (qesh). Unë kam trajnuar lojtarë të shkëlqyer si Andrea Pirlo dhe Miroslav Klose, të cilët luajtën në katër Kupa Bote dhe gjermani është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të. Ai ishte një lojtar brilant, inteligjent. Te Napoli kam punuar me Marek Hamsik dhe Ezequiel Lavezzi, për të përmendur vetëm dy. Si mund të zgjidhja vetëm një emër kur gjithmonë kam kaluar mirë me kaq shumë lojtarë?

Babai juaj ishte një vreshtar. Pa dyshim që ai do të thoshte që ju po bëheni më i mirë me kalimin e moshës, si puna e verës. Mendoni se çdo përvojë që keni pasur ju ka bërë një trajner më të mirë?

Nëse keni një bazë të mirë dhe e merrni çdo proces të duhur, atëherë do të përfundoni si një verë e mirë. Dhe nëse mbani një shishe të mirë, atëherë sa më e vjetër të jetë vera, aq më e mirë do të jetë. Megjithatë nuk mund të them të njëjtën gjë për veten time. Nuk më takon mua të gjykoj se kush jam dhe çfarë kam bërë. Unë do t’i lë të tjerët ta bëjnë atë, siç kam bërë gjithmonë. Prindërit e mi ishin njerëz të përulur dhe ata më mësuan të mbaj këmbët në tokë sepse më e mira pritet të vijë, sepse nesër do të jetë më mirë se dje.

Unë gjithmonë kam qenë një mendimtar pozitiv. Unë jam një person pozitiv. Nuk mbaj inat dhe gjithmonë shoh përpara. Nuk më pëlqen të flas për të kaluarën, megjithëse përvoja është jetike në punën tonë, dhe nëse e kam arritur deri këtu duke u përmirësuar ditë pas dite, e gjitha është për shkak të së kaluarës. Unë punoj çdo ditë, sidoqoftë. Shikoj ndeshje, flas me trajnerë të tjerë dhe mbaj azhurnim për përgatitjen e fitnesit. Futbolli është gjithnjë në zhvillim dhe duhet vazhduar me risitë. Nëse nuk e bëni, nuk do të qëndroni në krye. Kjo është ajo që unë kam bërë deri më tani.

U larguat nga shtëpia dhe filluat odisenë tuaj të futbollit 60 vite më parë. A keni një ide se ku dhe kur mund të marrë fund?

Ka qenë gjithmonë jeta ime. Pasioni im do të vdesë me mua, sepse kam lindur me një top në duar. Unë e dua topin. Ka qenë me mua tërë jetën time dhe më ka dhënë një kënaqësi të madhe.