Shqipëria e basketbollit të martën në mesditë ka mësuar shortin për kombëtaret e moshave. Kuqezinjtë do të konkurrojnë në Divizionin C për moshën deri në 16 vjeç dhe 18 vjeç, si dhe në Divizionin B për moshën deri në 20 vjeç. Bëhet fjalë për ekipe të plota meshkuj dhe femra. Kështu për vajza deri në 16 vjeç në Pejë të Kosovës, Shqipëria do të jetë në grupin B përballë Maltës, Kosovës dhe Moldavisë, kjo më 8-13 korrik.
Tirana do të jetë mikpritësja e djemve të moshës deri në 16 vjeç, me 5-13 korrik, kurse kuqezinjtë në grupin A do të kenë përballë Armeninë, Maltën dhe Moldavinë. Për vajza deri në 18 vjeç, tanimë në Andora de la Vela, më 22-27 korrik në grupin A Shqipëria do të ketë për kundërshtar Andorrën dhe Armeninë. Një tjetër aktivitet europian do të mirëpritet në Shqipëri, ndërsa në Durrës më 19-27 korrik, do të luajnë djem të moshës deri në 18 vjeç.
Kuqezinjtë në grupin B do të kenë përballë Luksemburgun, Moldavinë, Andorrën dhe Maltën. Kombëtarja e vajzave të moshës deri në 20 vjeç, kjo në Miskolc të Hungarisë, më 2-10 gusht në grupin A do të ndeshet me Serbinë, Bullgarinë dhe Danimarkën. Djemtë, në Jerevan të Armenisë më 11-20 korrik, në grupin D do të ndeshen me Turqinë, Suedinë, Hungarinë dhe Kosovën.
Në këtë mënyrë, me dy aktivitete europiane në Tiranë dhe Durrës, basketbolli shqiptar do të përpiqet të bëjë më të mirën me moshat.
.