Kupa e Shqipërisë ka përcaktuar dy finalistet e saj, teksa u luajtën takimet e kthimit të gjysmëfinaleve. Kështu, në Shkodër, në Stadiumin "Loro Boriçi", Vllaznia është përballur me Egnatian, duke synuar të përmbysë atë humbje minimale të pësuar në ndeshjen e parë në Rrogozhinë.
Pjesa e parë ka nisur më mirë për vendasit, teksa në minutën e 15-të, vjen një mundësi e artë për Vllazninë. Pas një harkimi nga e djathta, Gruda i vjedh kohën Ramës dhe gjuan me kokë duke mposhtur Sherrin, por Malota largon topin para se të kalojë vijën fatale. Megjithatë, 14 minuta më pas, pas një aksioni të gjatë të skuadrës, topi shkon te Alivoda, i cili me një goditje të fuqishme e dërgon topin në rrjetë.
Me epërsinë minimale të Vllaznisë do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë shkodranët të kërkojnë golin e dytë dhe i afrohen në të 52-tën minutë me Balajn dhe në të 54-tën me Grudën, por është shkodrani i portës rrogozhinase, Alen Sherri, që u mohon golin.
Ndonëse Egnatia do të kundërpërgjigjet me Ramën në të 65-tën dhe me Fernandon 3 minuta më pas, nuk ka më gola deri në fund të kohës së rregullt, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila, pasi Egnatia e kishte fituar ndeshjen e parë me një gol të vetëm.
Ndonëse shtesa e parë do t’i shohë miqtë të mbeten menjëherë me 10 lojtarë, pasi Aleksi me kartonin e dytë të verdhë dhe del nga loja me karton të kuq, në minutën e 113-të është Egnatia që gjen rrugën e rrjetës. Pas një goditjeje nga këndi të rrogozhinasve, një gjuajtje me kokë e Xhemajlit rrok shtyllën horizontale dhe më pas është Montenegro që e çon topin në rrjetë pas pasimit te Dylisesë.
Me Egnatian që mund të kishte gjetur golin e dytë, ashtu sikundër mund të kishte bërë edhe Vllaznia në fundin e shtesës së dytë, por në barazim 1-1 do të mbyllet ndeshja dhe rrogozhinasit shkojnë në finalen e dytë radhazi të Kupës së Shqipërisë, duke synuar mbrojtjen e trofeut të fituar vjet, përballë do të jetë Kukësi.