RTSH Sport Live

Egnatia, për herë të parë fituese e Superkupës

  • 18 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Egnatia, për herë të parë fituese e Superkupës
Rrogozhinasit mposhtën Kukësin me rezultatin 2-0 në “Arena Kombëtare”

Nuk ka surpriza në “Arena Kombëtare”, Egnatia mposht Kukësin me rezultatin 2-0 dhe për herë të parë shpallet fituese e Superkupës së Shqipërisë.

Një sfidë pa shumë histori, me rrogozhinasit që dominuan në çdo aspekt. Verilindorët bënë shumë pak, për të mos thënë asgjë, për të pretenduar këtë trofe.

Pas disa mundësive të humbura, Egnatia kaloi në avantazh në minutën e 19-të të takimit me Ujkën që në hyrje të zonës nuk fal me një të djathtë të fuqishme.

Për të dyfishuar shifrat ka menduar Bakayoko në minutën e 84-ët duke mbyllur të gjitha llogaritë në këtë sfidë. Pas kampionatit dhe Kupës, Egnatia fiton kështu dhe Superkupën duke e mbyllur vitin 2024 me trofe.

EGNATIA-KUKËSI 2-0

Shënues: Ujka 19’, Bakayoko 84'

Mbyllet sfida në “Arena Kombëtare” Egnatia mposht Kukësin me rezultatin 2-0 dhe për herë të parë shpallet fituese e Superkupës së Shqipërisë.

85’ – Edhe njëherë Bakayoko, i cili ka mundësinë të shënojë dhe golin e tretë, por kësaj radhe ka gabuar.

Goooool Bakayoko! Egnatia ka dyfishuar shifrat përballë Kukësit në minutën e 84-ët

79’ – Lushkja godet rrezikshëm, topi është larguar nga mbrojtja.

73’ – Edhe njëherë Beshiraj, i cili godet në mënyrë të gabuar, kur i kishte të gjitha mundësitë për të shënuar. Pozicioni i sulmuesit të Kukësit ishte i dyshimtë.

72’ – Beshiraj ka një mundësi të artë për të vendosur barazpeshën, por është vonuar duke i dhënë mundësinë prapavijës rrogozhinase të rikuperojë topin.

58’ – Mundësi për Egnatian për të dyfishuar rezultatin, goditja e Bakayoko është ndalur në traversë pas devijimit të Dervishajt.

53’ – Rrogozhinasit pretendojnë për një 11-metërsh, Bakayoko pengohet brenda zonës, por për gjyqtarin e sfidës gjithçka është e rregullt.

47’ – Zejnullai shfaqet rrezikshëm në zonën e verilindorëve, por nuk arrin të kontrollojë si duhet topin duke i dhënë mundësinë portierit Dervishaj të evitojë rrezikun.

Nis pjesa e dytë

Është mbyllur pjesa e parë në “Arena Kombëtare” me Egnatian në avantazh 1-0 përballë Kukësit.

32’- Bakayoko ka një tjetër mundësi në zonën e verilindorëve, por Dervishaj tregohet më i shpejtë duke evituar rrezikun.

19’ – Goooooool! Egnatia ka zhbllokuar më në fund sfidën, është Ujka që ka dërguar topin në rrjetë me një të djathtë në hyrje të zonës.

15’ – Bakayoko përfiton nga një hezitim i mbrojtjes kuksiane, por topi i prekur prej tij përfundon jashtë.

13’ – Zejnullai tenton me një goditje dënimi në një pozicion të volitshëm, por pa sukses.

5’ – Lushkja ka mundësinë më të mirë për të rrezikuar portën e Kukësit, por goditja e tij është e gabuar.

Nis sfida...

Egnatia-Kukësi, sfida përmbyllëse e vitit 2024 ku do të diskutohet trofeu i Superkupës.

EGNATIA: Dobjani, Malota, Xhemajli, Ndreca, Fangaj, Rama, Aleksi, Zejnullai, Ujka, Lushkja, Bakajoko.

Trajner: Edlir Tetova

KUKËSI: Dervishaj, Lamellari, Jusuf, Danaj, Dragoshi, Selita, Kapllanaj, Nasir, Metani, Hasaj, Beshiraj.

Trajner: Emiliano Çela