RTSH Sport Live

Egnatia shkruan historinë e futbollit

  • 10/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Egnatia shkruan historinë e futbollit
Mposht Vllazninë 1-0 dhe siguron vendin në finalen e Kupës së Shqipërisë

Egnatia ka shkruar të mërkurën historinë e futbollit shqiptar, teksa është kualifikuar, për herë të parë, për në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke patur kështu edhe shansin për të synuar të parin trofe madhor që nga themelimi i saj. Në takimin e zhvilluar pasdite në Stadiumin “Egnatia Arena” të Rrogozhinës, skuadra vendase ka mposhtur me një gol të vetëm Vllazninë, duke marrë kështu një fitore minimale, që e çon në finale, pasi takimi i para dy javëve, i luajtur në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ishte mbyllur në barazim 1-1.

Dhe ashtu sikundër kishte ndodhur në Shkodër, ku vendasit kanë arritur të marrin barazimin në minutat shtesë, edhe në Rrogozhinë gjithçka është vendosur në fund. Në fakt, ka qenë një ndeshje e mbizotëruar plotësisht nga skuadra vendase, që u zhbllokua vetëm në minutën e fundit të kohës së rregullt. Me një goditje të fortë nga larg ishte Xhekson ai që shënoi duke i dhënë kualifikimin skuadrës së tij. Duhet theksuar se gardiani i portës shkodrane, Qarri, ka qenë heroi për Vllazninë, duke bërë disa pritje fantastike, por që në fund nuk mjaftuan.

Në pjesën e parë, Vllazninë e shpëton nga një karton i kuq Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), që më pas do t’u anulojë në krahun tjetër edhe një gol miqve. Edhe pjesa e dytë ka patur të paktën dy pretendime për 11-metërsh nga ana e Vllaznisë, por nuk ka qenë i këtij mendimi gjyqtari kryesor, Jorgji.

Egnatia mposht Vllazninë me shifrat 1-0, duke siguruar vendin në finalen e 1 qershorit dhe skuadra që erdhi nga niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria e Parë, para dy sezonesh, tanimë ka një shans për të fituar një trofe, ndërsa mban në renditjen e Kategorisë Superiore edhe vendin e 3-të, që i siguron pjesëmarrjen në veprimtaritë evropiane sezonin e ardhshëm.