RTSH Sport Live

Elbasani, kapiteni Lulaj tregon sekretet: Harmonia në ekip dhe puna e trajnerit

  • 15/10/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Elbasani, kapiteni Lulaj tregon sekretet: Harmonia në ekip dhe puna e trajnerit
Pas 8 javëve të para të kampionatit në “Abissnet Superiore”, Elbasani po tregon se është një nga pretendentet për katërshen finale

Në një intervistë për RTSH, kapiteni i AF Elbasanit, Bruno Lulaj ka treguar për punën e deritanishme që është bërë në skuadrën e tij. Pas 8 javëve të para të kampionatit në Abissnet Superiore, Elbasani po tregon se është një nga pretendentet për katërshen finale. Lulaj veçon punën e bërë nga trajneri Bordin për këtë sukses të deritanishëm të skuadrës.

Elbasani është duke bërë një paraqitje të mirë në “Abissnet Superiore”, gjatë 8 javëve të para të kampionatit. Duke treguar se është një ndër skuadrat që synojnë të shkojnë në katërshen finale. Bruno Lulaj, kapiteni i ekipit të Elbasanit tregon se harmonia brenda skuadrës është një nga treguesit e ecurisë së deritanishme.

“Ecuria është shumë pozitive. Jemi një ekip i ri, vijmë nga Kategoria e Parë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Po hedhim hapa të rëndësishëm, kemi grumbulluar pikë. Mund të kishim arritur më shumë. Nuk jemi të kënaqur me aq sa kemi, por si fillim është shumë mirë”.

Lulaj veçon rivalitetin në ndeshjet me Vllazninë dhe Tiranën. Por tani fokusi i tyre është në ndeshjen e radhës, atë me Partizanin.

“Do doja të veçoja ndeshjen me Vllazninë, e cila ishte shumë e luftuar, por edhe ndeshja ndaj Tiranës. Ndeshja e radhës, ajo me Partizanin, pritet të jetë e luftuar. Kundërshtari është një emër i madh i futbollit shqiptar, të imponon fokusin dhe seriozitetin. Gjithsesi, çdo ndeshje vlen tri pikë, ne i marrim seriozisht të gjitha ndeshjet, por këto ndeshjet e forta të japin një shtysë më tepër. Harmonia është shumë e mirë, jemi një familje dhe kjoë shtë forca jonë, forca e grupit”.

Kapiteni i skuadrës së Elbasanit, veçon punën e trajnerit Roberto Bordin, në arritjet e deritanishme.

“Trajneri është shumë i mirë, shumë pozitiv, ka ka fituar si lojtarë, ne japim maksimumin për ekipin por edhe për trajnerin. Nuk duhet të harrojmë tifozët, arma jonë, kemi tifozërinë më të zjarrtë”.

Por përpara sfidës së kampionatit me Partizanin, AF Elbasani është përgatitur për Derbin e prefekturës për Kupën e Shqipërisë. Kur të mërkurën do të luajë kundër Turbinës, një ndeshje e cila do të zhvillohet ne kompleksin sportiv "Shefqet Lamçja".