RTSH Sport Live

Erblira Bici me Romën, 4 fitore në 4 javë

  • 11/11/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Erblira Bici me Romën, 4 fitore në 4 javë
Kapitenia kuqezi vijon me formën e shkëlqyer, është shënuesja më e mirë në çdo ndeshje

Dy ndeshje të tjera, dy fitore të tjera, që vlejnë kreun e renditjes dhe dy paraqitje të tjera shumë të mira që e konfirmojnë atë si lojtaren më të spikatur statistikisht dhe dy herë më të preferuarën e tifozëve.

Erblira Bici vijon me formën e saj të shkëlqyer në nivelin e dytë të të volejbollit italian të femrave, në Serinë A2, aty ku në grupin B, e ka udhëhequr skuadrën e saj, Romën, drejt fitores së 4-t në po aq javë. Pas dy javëve të para, ku kishte spikatur në dy fitore, 27-vjeçarja ka qenë e papërmbajtshme në fundjavë në fitoren në 4 sete të Romës në fushën e Sigel Marsalas, duke realizuar 21 nga 76 pikët që realizoi skuadra e saj, teksa 23 të tjerat erdhën nga gabimet e kundërshtareve.

Dhe në mesjavë, lojtarja 1 m e 86 cm e lartë ka vijuar të shkëlqejë edhe në fitoren në 3 sete që Roma korri në fushën e vet ndaj CDA Talmasons. Kapitenia kuqezi ka realizuar 16 nga 52 pikët që realizoi skuadra e saj, teksa 23 të tjerat erdhën nga gabimet e kundërshtareve. Dhe me 74 pikë të realizuar 14 setet në 4 javët e para, Bici renditet në 6 shënueset më të mira të Serisë A2, kurse Roma mban e vetme kreun e renditjes së grupit, me pikë të plota 12.