Gjashtë nga tetë sportistët e delegacionit olimpik shqiptar në Lojërat Olimpike “Paris 2024” janë pritur këtë të hënë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sepse duke nisur nga Luiza Gega e për të vijuar më pas me Zelimkan Abakarov, Islam Dudaev, Shermen Valiev, të katër të kualifikuar me normë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, janë të klubit Tirana.
“Gjashtë sportistëve të Tiranës u uroj vetëm sukses dhe sigurisht, edhe medalje. Jam shumë shpresëplotë për të gjithë investimin që Bashkia e Tiranës ka bërë për forcimin e klubit dhe fakti se 75% e skuadrës olimpike vjen nga Sport Klub Tirana e tregon këtë. Është një investim jo vetëm në emra të përveçëm, por në të gjithë kulturën e marrjes me sport. Më bëhet vërtet zemra mal kur shikoj se e kemi masivizuar sportin pasi Tirana mbajti edhe titullin Kryeqyeteti Europian i Sportit”, tha Veliaj
Ndërkohë Luiza Gega ka vlerësuar se me drejtimin e Bashkisë së Tiranës nga Erion Veliaj, investimet në sport janë rritur
“Lojërat Olimpike janë ëndërr për çdo sportist. Jam e sigurt se i gjithë ekipi do të japë maksimumin. Sigurisht, ne presim gjithmonë e më mirë, por gara është garë. Që kur Erioni ka ardhur në Bashkinë e Tiranës, gjërat kanë ndryshuar shumë për sa i përket mbështetjes dhe kjo është arsyeja për rezultatet e mira, të paktën për mua. Unë e falenderoj pa masë dhe jam e sigurt që, ashtu siç janë shtuar fëmijët që merren me atletikë, ashtu do të shtohet edhe niveli i lartë në këtë sport, duke qenë se infrastruktura nuk i mungon Tiranës”, tha Gega.
Më tej akoma i pari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vlerësuar dhe masivizimin e sportit në kryeqytet
“Më kujtohen vitet 90-të, kur shumë sportistë shqiptarë garonin për një flamur tjetër, ndërkohë sot për arsye nga më të ndryshmet, sportistë të huaj zgjedhin flamurin tonë. Ky është një ndryshim për mirë, shton kompeticionet dhe garat brenda nesh, me eksperienca që vijnë nga vende të ndryshme dhe sigurisht që, edhe ekipi ynë olimpik do të jetë kozmopolitan, pra me prejardhje të ndryshme, ashtu siç është në fakt Tirana jonë, kozmopolitane”, tha ai.
Dhe në fund Veliaj ka siguruar se ekipi olimpik shqiptar në Paris do të jetë në kushte dinjitoze.
“Jam i bindur se ne do të bëjmë maksimumin për një përfaqësim dinjitoz të një vendi të vogël, por që në ato pak disiplina ku përfaqësohemi kemi çuar vërtetë më të mirët”, përfundoi Veliaj.