RTSH Sport Live

Erzeni e çon në sfidën e 3-të duelin me Tiranën

  • 15/04/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Erzeni e çon në sfidën e 3-të duelin me Tiranën
Partizani, që tani në finale, sfida e së hënës erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Pas Superligës së femrave të dielën, edhe niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, ka vijuar të hënën rrugëtimin e “play-off”-it të titullit, teksa në Shkodër dhe në kryeqytet janë luajtur takimet e dyta të gjysmëfinaleve. Kështu, pasi e ka mbyllur shpejt, në 3 sete, duelin e parë në shtëpi ndaj Vllaznisë, Partizani ka vijuar të fitojë, këtë radhë në 4 sete, në takimin e zhvilluar më herët në Shkodër.

Vllaznia e mori setin e parë, 25-23, por skuadra e trajnerit Ylli Tomori i fitoi me shifrat 25-15, 25-21 dhe 25-17 të 3 setet e tjera dhe ia ka dalë në sfidën e së hënës në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ta mbyllë në dy ndeshje çështjen e kalimit në finale. Ndërkaq, në duelin tjetër, Tirana e pati mbyllur në 4 sete duelin e parë në fushë të huaj ndaj Erzenit.

Por në takimin e zhvilluar të luajtur më vonë në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, dhe pamje të të cilit na sjell kjo kronikë, skuadra mike, e drejtuar nga trajneri Ilo Koja, e ka fituar në 28 minuta setin e parë, me shifrat 25-23, duke vijuar të mbizotërojë edhe në të dytin, duke e fituar edhe atë në 27 minuta me shifrat 25-22 dhe duke kryesuar kështu 2-0 me sete.

Por Tirana do të reagojë në setin e 3-të dhe do ta fitojë atë, 25-17, në 23 minuta lojë, duke vijuar ta marrë edhe setin e 4-t në 24 minuta, me shifrat 25-18, dhe duke e çuar kështu ndeshjen në setin e 5-të dhe të fundit.

Edhe ky set ka qenë i luftuar deri në fund, por është Erzeni që e merr atë 15-13, duke bërë kështu që, ndryshe nga i pari, ky duel i dytë i gjysmëfinaleve të “play-off”-it të titullit në Superligën e volejbollit të meshkujve të kërkojë takimin e 3-të, që do të luhet të enjte në mbrëmje në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Shijak.