RTSH Sport Live

Euro 2020, formacioni ideal sipas statistikave

  • 12/07/2021
  • |
  • Futboll Bota
Euro 2020, formacioni ideal sipas statistikave
Në përzgjedhjen e OPTA-s, vetëm tre lojtarë kampionë të Europës

Me Europianin e përfunduar, tashmë është kohë bilancesh dhe vlerësimesh, e në lojë thirren statistikat, nga të cilat algoritmi Opta ka përzgjedhur formacionin më të mirë, me një vendosje 4-3-3 ofensive. Por ajo që bie në sy, sigurisht që është prania e vetëm tre lojtarëve nga skuadra kampione e kontinentit. Nëse Donaruma është vlerësuar si lojtari më i mirë i Euro 2020, statistikat e Opta ngushëllojnë portierin e skuadrës që humbi në finale. Kështu, është Pikford portieri titullar i formacionit më të mirë, për faktin se e ka ruajtur pesë herë portën të paprekur, ashtu si asnjë portier tjetër(5 edhe Iker Casillas në 2012).

Uolker është mbrojtësi i djathtë, që ka kompletuar më shumë pasime në gjysmëfushën kundërshtare(161), e që ka rikuperuar më shumë topa(37). Në qendër, Bonuci, që është i vetmi që nuk është dribluar. Stones(94%) është lojtari që ka përqindjen më të lartë të pasimeve të arritura. E kompleton mbrojtjen Maehle, lojtari që ka luajtur më shumë topa në zonën kundërshtare(27).

Në mesfushë, Pedri është i pari lojtar europian që luajti si titullar të gjashtë ndeshjet në moshën 18 vjeç në një edicion të vetëm, mes Europianit dhe Botërorit. Jorginho është lojtari që ka bllokuar më shumë pasime(25). Marko Verrati(14) është lojtari që ka krijuar më shumë raste për gol.

Në tridhëmbëshin ofensiv, asnjë lojtar nuk ka shënuar më shumë se Patrik Shik. Është i dyti lojtar i Republikës Çeke që realizon pesë gola në një edicion të vetëm(Europian/Botëror), pas Milan Baros në Euro 2004. Dolberg është përzgjedhur si lojtari me përqindjen më të lartë realizuese: 43%, ka realizuar 3 nga 7 goditjet në total. Sterling ka marrë një vend në formacion si lojtari që ka realizuar më shumë driblime(20), ashtu si dhe ai që ka luajtur më shumë topa në zonën kundërshtare.