RTSH Sport Live

Euro 2020, plani i UEFA-s: vaksina për 600 protagonistët

  • 11/04/2021
  • |
  • Futboll Bota
Euro 2020, plani i UEFA-s: vaksina për 600 protagonistët
Komisioni mjekësor po punon për një protokoll që garanton një turne të qetë

UEFA, përmes komisionit të saj mjekësor, po punon për të përgatitur një protokoll, që do të garantojë një Europian të qetë, pa raste koronavirusi. Plani, sipas Corriere dello Sport, parashikon vaksinimin e 600 lojtarëve në skuadër (25 të thirrur për secilin nga 24 finalistët) dhe të gjithë stafet. Kjo është mënyra e vetme për një turne pa kurthe virale, që ende janë në një nivel shqetësues, siç tregon rasti i Italisë.

Ishte pikërisht grupi italian (rreth njëzet pozitivë mes lojtarëve dhe stafit) i evidentuar në mars, që ka sjellë dhe masat shtesë të organit më të lartë të futbollit europian. Mburoja e protokolleve të licencuara nga UEFA dhe federatat e vendeve të asociuara (në marrëveshje me qeveritë) nuk është më e mjaftueshme për ta bërë futbollin imun ndaj sëmundjes.

Për të pasur një turne pa Covid në fushë dhe në tribuna, të gjithë duhet të vaksinohen, ose të imunizohen. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të përfunduar evenimentin e shtyrë për një vit pikërisht për shkak të koronavirusit.