RTSH Sport Live

Euro U19 për femra, Shqipëria mbyll kualifikueset në vendin e dytë

  • 03/12/2024
  • |
  • Kombëtarja
Euro U19 për femra, Shqipëria mbyll kualifikueset në vendin e dytë
Në ndeshjen e fundit vajzat kuqezi u mposhtën nga Bjellorusia me rezultatin 2-1

Kombëtarja e vajzave U-19 luajti mesditën e sotme ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Bjellorusisë, e vlefshme për raundin e parë të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë.

Në takimin e zhvilluar në stadiumin ‘Arena Kombëtare’, Shqipëria e drejtuar nga Luçije Gjini u mposht me rezultatin  1-2

Minutat e para janë të barabarta për të dyja skuadrat. Rastin e parë për Shqipërinë për të shënuar e provon kapitenia Xhesika Ndoj, e cila vendos të gjuajë nga distanca, por topi del jashtë.

Bjelloruset kalojnë në avantazh në minutën e 27-të pas një aksioni nga e djathta, me Putsykovich e cila gjendet në zonën tonë, shfrytëzon avantazhin dhe shënon. Pjesa e mbetur e 45 minutave të para vazhdon e barabartë, me skuadrat që i afrohen portave respektive, por nuk shënohet asnjë gol. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Bjellorusinë.

Skuadrat u paraqitën të barabarta edhe në fraksionin e dytë. Shqipëria kërkoi përmes disa rasteve golin e barazimit por pa fat. Bjellorusia shënon edhe golin e dytë në minutën e 85-të. Kuqezezat nuk dorëzohen dhe shënojnë një gol fantastik në minutën e 88-të nga goditja e dënimit me Rosela Vasën, e cila tregohet e saktë, duke shkurtuar diferencën në 1-2. Goli i Vasës dhe koha e mbetur nuk mjaftojnë, me ndeshjen që mbyllet në favor të Bjellorusisë, që siguron vendin e parë në grupin B1.

Shqipëria e mbyll këtë aventurë europiane në vendin e dytë në grupin B1 dhe në raundin e dytë do të luajë sërish në Ligën B. Vendet e para të grupeve kalojnë automatikisht për në Ligën A, ndërkohë që pritet përfundimi i të gjitha ndeshjeve për të përcaktuar edhe vendin e dytë më të mirë që gjithashtu ngjitet një ligë më lart.

Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur në ‘Shtëpinë e Futbollit’, Mali i Zi mundi Moldavinë me rezultatin 5-0.

Të gjitha ndeshjet e raundit të parë u zhvilluan në Shqipëri dhe u organizuan me sukses nga Federata e Futbollit. Ekipet u akomoduan në Durrës përgjatë gjithë periudhës që u organizua turneu, teksa ndeshjet u zhvilluan në stadiumin ‘Arena Kombëtare’ dhe në ‘Shtëpinë e Futbollit’.