Federata e Futbollit çeli dje sesionin e përvitshëm të seleksionimeve me futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët jetojnë dhe luajnë në Europë dhe botë. Pjesëmarrës në këtë seleksionim Open Stage ishin djemtë e vitlindjes 2007.
Rreth 90 futbollistë të rinj u aktivizuan në 5 ndeshjet e zhvilluara në “Shtëpinë e Futbollit” dhe u vëzhguan nga trajnerët e ekipeve Kombëtare, stafi i Drejtorisë Teknike dhe përgjegjësi i skautizmit në FSHF, Ardi Behari. Talentet e ftuara u angazhuan në teste fizike dhe ndeshje miqësore.
Sakaq, në datën 4 dhjetor do të zhvillohet faza Open Stage për të rinjtë e lindur në vitin 2008, më 5 dhjetor futbollistët e vitlindjes 2009, ndërsa lojtarët e vitlindjes 2010/2011 më 10 dhjetor. Për të marrë pjesë në këto seleksionime janë regjistruar mbi 450 futbollistë të rinj, të cilët jetojnë jashtë vendit.
Kjo nismë e përvitshme e Federatës së Futbollit u jep mundësinë talenteve të reja të tregojnë aftësitë e tyre dhe ndihmon stafin Teknik të ekipeve Kombëtare të vlerësojnë dhe evidentojnë futbollistë me potencial për të dhënë kontributin e tyre me Kombëtaren.