RTSH Sport Live

Euroliga në RTSH, Zalgiris “masakron” Anadollu Efes

  • 31/01/2024
  • |
  • Basketboll
Euroliga në RTSH, Zalgiris “masakron” Anadollu Efes
Të mërkurën erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport supersfida Zalgiris-Anadollu Efes

Basketbolli i madh evropian vijon në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që ka siguruar të drejtat ekskluzive për 3 sezone të Euroligës së koshit për meshkuj. Dhe sportdashësit shqiptarë kanë patur mundësi të shijojnë njërën prej 4 sfidave më të spikatura të kësaj jave, teksa të martën në mbrëmje ka ardhur supersfida Reali i Madridit-Makabi i Tel Avivit. Ndërkaq, të mërkurën ka ardhur një tjetër përballje interesante, siç ishte ajo midis skuadrës lituaneze të Zalgirisit dhe asaj turke të Anadollu Efesit.

Kjo sfidë, që erdhi drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport, ka parë skuadrën vendase të bëjë një 10-minutësh të parë të jashtëzakonshëm, duke e fituar atë me shifrat 34-14 dhe dukue vijuar ta thellojë deri në 30 pikë epërsinë në atë të dytin, në shifrat 44-14. Edhe pse skuadra turke do të reagojë, është Zalgirisi që e fiton edhe këtë 10-minutësh me rezultatin e ngushtë, 24-23, dhe shkon në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 21 pikë epërsi, 58-37.

Reagimi i Anadollu Efesit do të vijojë edhe në 10-minutëshin e 3-të, të cilin e ka fituar 22-18, por lituanezët vazhdojnë të kryesojnë bindshëm dhe e administrojnë atë edhe në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, duke e fituar 20-11 dhe gjithë ndeshjen 96-70. Ndërkaq, të enjten, duke nisur nga ora 20:30, do të vijë një tjetër sfidë interesante, e vlefshme për javën e 25-të, ajo midis Bajernit të Mynihut. Kurse të premten vjen një tjetër superduel, ai që do të zhvillohet në Beograd, midis Cërvena Zvezdës dhe Barcelonës.