RTSH Sport Live

Europa League, finale me publik: 9500 spektatorë në Gdansk

  • 03/05/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Europa League, finale me publik: 9500 spektatorë në Gdansk
Dyert e Stadiumit të Gdansk rihapen, i cili më 26 maj do të presë finalen e kompeticionit europian: autoritetet shëndetësore polake kanë dhënë ok

Për finalen e Europa League do të ketë publiku: një gjë e tillë është njoftuar nga UEFA, e cila i dha dritën jeshile shitjes së biletave për finalen e 26 majit. Autoritetet polake të shëndetësisë kanë konfirmuar hapjen e 25% të impiantit dhe kështu Gdansk, qyteti polak që do të presë ndeshjen vendimtare midis fituesve të Manchester United-Romë dhe Arsenal-Villarreal, do të jetë në gjendje të hapë dyert e tij për tifozët, për maksimumi 9,500 spektatorë.

Finalistët do të marrin 2,000 bileta secila, ndërsa 2,000 bileta po ofrohen për shitje për publikun e gjerë përmes UEFA.com. Biletat e mbetura u akordohen komitetit organizativ lokal, UEFA-s dhe shoqatave kombëtare, partnerëve komercialë dhe transmetuesve.

Po në lidhje me kufizimet e COVID-19? - Tifozët që udhëtojnë nga jashtë Polonisë do të duhet të respektojnë kufizimet dhe kërkesat e hyrjes në kufi që do të jenë në fuqi në kohën e finales. Asnjë përjashtim nuk do t'u jepet mbajtësve të biletave.

Hyrja në stadium do të jepet në përputhje me legjislacionin lokal, i cili do të konfirmohet nga autoritetet lokale gjatë kësaj jave dhe mund të përfshijë nevojën e një vaksine ose një rezultati të testit COVID-19.

UEFA do të rimbursojë çmimin e plotë të biletës për blerësit, nëse një zbritje e kapacitetit të stadiumit do të njoftohet nga autoritetet lokale në një fazë të mëvonshme.