RTSH Sport Live

Berat Gjimshiti, “Player of the Week” në Europa League

  • 19/04/2024
  • |
  • UEFA Europa League
Berat Gjimshiti, “Player of the Week” në Europa League
UEFA hapi votimin për të zgjedhur lojtarin më të mirë të raundit të dytë të çerekfinaleve, çmim i fituar nga kapiteni i Kombëtares shqiptare

Është padyshim shtylla e mbrojtjes së skuadrës së tij dhe së fundmi është përzgjedhur edhe si “Lojtari Më i Mirë i Javës” në Ligën e Evropës. Berat Gjimshiti zhvilloi një tjetër paraqitje mbresëlënëse me Atalantën në sfidën e dytë të çerekfinaleve të Ligës së Evropës ndaj Liverpulit, aty ku skuadra e tij siguroi kualifikimin historik për në gjysmëfinalet e veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit.

Kontributi i kapitenit të Kombëtares shqiptare në prapavijë ishte i jashtëzakonshëm, duke ndalur aksionet e rrezikshme të lojtarëve të Liverpulit dhe në fund u përzgjodh nga UEFA si lojtari më i mirë i sfidës. Por jo vetëm kaq, pasi UEFA hapi votimin për të zgjedhur edhe lojtarin më të mirë të ndeshjeve të kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Evropës, çmim që është fituar nga kapiteni i Kombëtares shqiptare.

Gjimshiti ishte në garë me Xhordan Veretutin, Xhanluka Mançinin dhe Matej Kovarin, që shkëlqyen me paraqitjet e tyre, por tifozët kanë përzgjedhur si lojtarin më të mirë kapitenin e Kombëtares kuqezi.