RTSH Sport Live

Europa League, një trofe për “rishtarë”

  • 15/04/2022
  • |
  • UEFA Europa League
Europa League, një trofe për “rishtarë”
Vetëm Eintrahti i Frankfurtit e ka fituar një herë më parë Kupën UEFA

Veprimtaria e dytë e futbollit kontinental të klubeve, Liga e Evropës, ka mbyllur të enjten fazën çerekfinale, duke përcaktuar edhe 4 skuadrat që mbeten në betejë për këtë trofe. Një trofe që të siguron ndërkohë edhe vendin në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Por çerekfinalet kanë dhuruar të papritura, nga të cilat, natyrisht, ishte eliminimi i Barcelonës, që tashmë ka mbetur duarbosh, teksa, pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, eliminohet edhe nga Liga e Evropës. Eintrahti i Frankfurtit e ka fituar Ligën e Evropës, të njohur asokohe si Kupa UEFA në 1980-ën, por që atëherë e ka harruar shijen e triumfit kontinental, duke u eliminuar në fazat e hershme.

Ndërkohë, edhe Uest Hemi kërkon rikthimin tek lavdia evropiane, teksa mbërriti për herë të parë në gjysmëfinale që nga sezoni 1975-1976, ku u mund në finale, ndërsa më herët, kishte shijuar suksesin kontinental duke fituar ish-Kupën e Kupave të Evropës. Në duelin tjetër gjysmëfinal, Lajpcigu përballet me Gllasgou Rejxhërs, me skuadrën gjermane që eliminoi Atalantën dhe me skocezët që mposhtën portugezët e Bragës. Lajpcigu është shndërruar në një bashkëudhëtare e rregullt e futbollit gjerman në veprimtaritë kontinentale këto sezonet e fundit, por në Ligën e Evropës nuk ka shkuar dot më larg se çerekfinalet.

E njëjta gjë vlen edhe për Gllasgou Rejnxhërs, një nga dy gjigandet e futbollit skocez, me 55 tituj “kampion” dhe 33 Kupa, por që ka vuajtur rregullisht në Evropë, sidomos në vitet e fundit. Skuadra skoceze krenohet me vetëm një trofe të Kupës së Kupave të Evropës, para plot 40 vitesh, ndërsa në Ligën e Evropës është mundur në finalen e sezonit 2007-2008.

Ajo që është e sigurt, është se, si rrallëherë, të 4 skuadrat kanë shanse të barabarta për ta fituar këtë trofe kontinental. Takimet e para të gjysmëfinaleve, Lajpcig - Gllasgou Rejnxhërs dhe Uest Hem Junajtid - Eintraht Frankfurt luhen më 28 prill, me takimet e kthimit një javë më pas, më 5 maj 2022.