Pasi ka mbyllur fazën e grupeve, Kampionati Evropian i Futbollit të Femrave, që po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka nisur fazën më interesante të tij, atë me eliminim të drejtpërdrejtë dhe të mërkurën është luajtur takimi i parë i çerekfinaleve, Angli-Spanjë, që ka përcaktuar edhe gjysmëfinalisten e parë. Takimi i transmetuar drejtpërdrejt në RTSH Sport ka parë një pjesë të barabartë me dyja skuadrat që mbizotërojnë në periudha të caktuara.
Edhe pse anglezet do ta gjejnë golin në 7 minuta para fundit, ai do të anulohet për pozicion jashtë loje, dhe kësisoj pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Ajo e dyta do të shohë Spanjën të gjejë e para rrugën e rrjetës në minutën e 53-të, me anë të Gonzalesit
Anglia do të reagojë dhe këmbëngulja e vendaseve do të shpërblehet 6 minuta para fundit të kohës së rregullt.
Koha e rregullt dhe 5 minutat shtesë të saj do të mbyllen në barazim, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila. Aty ku në minutën e 6-të të së parë, anglezet gjejnë edhe golin e dytë, me autore Stenuejin, duke përmbysur kështu shifrat.
Minutat e mbetura të pjesës së parë dhe e gjitha pjesa e dytë e shtesës nuk do të sjellin gola të tjerë dhe Anglia mund Spanjën 2-1 dhe siguron vendin në gjysmëfinale. Ndërkohë, të enjten do të luhet dueli i dytë i çerekfinaleve, Gjermani-Austri, që do të vijë drejtpërdrejt në RTSH Sport, duke nisur nga ora 21:00.