RTSH Sport Live

Europiani i Volejbollit, Shqipëria pa shpresë

  • 10/07/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Europiani i Volejbollit, Shqipëria pa shpresë
Kuqezinjtë shkatërrohen 3-0 që në ndeshjen hapëse kundër Sllovenisë

Shqipëria e nis në mënyrën më të keqe të mundshme Europianin e 17-vjeçarëve. Skuadra e drejtuar nga trajneri Erin Sejati u mund me rezultatin  3-0 në ndeshjen e parë nga Sllovenia. Një takim pa histori për kuqezinjtë që tentuan të bënin diçka në pallatin e sportit të Farkës, por Sllovenia e nisi menjëherë me shumë forcë dhe muskuj duke e shkatërruar ekipin shqiptar me rezultatin 25-6 që në setin hapës.

Duke parë forcën e vogël të kuqezinjve, trajneri kundërshtar Itzok Ksela vendosi të hidhte në fushë ekipin rezervë për të balancuar disi forcat mes dy skuadrave por sërish diferencat ishin shumë të mëdha. Pesëshja titullare e Shqipërisë u mund sërish, këtë herë kundër linjave të dyta të Sllovenisë me rezultatin 25-11. Kosanac, Frece dhe Podbregar shënuan në vazhdimësi për të vendosur përfundimisht ndeshjen në një rrugë pa kthim për të besuarit e Sejatit.

Forca e Shqipërisë, e pallogaritshme për sllovenët, e bëri edhe më të parashikueshme ndeshjen në setin e tretë ku miqtë kursyen edhe më shumë energji ndërsa kuqezinjtë u dorëzuan përfundimisht duke konfirmuar faktin që volejbolli shqiptar është ende vite dritë larg atij europian, madje në këto nivele diferencat janë të frikshme. Ndeshjen e radhës, Shqipëria do ta luajë të Dielën në Farkë kundër Belgjikës që në ditën e parë u shkatërrua nga Rusia 3-0.

Në ndeshjet e tjera, Lituania kaloi Turqinë 3-2, ndërsa Austria u imponua 3-0 ndaj Serbisë.