RTSH Sport Live

Europiani U17, zyrtarizohen gjysmëfinalet

  • 15/07/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Europiani U17, zyrtarizohen gjysmëfinalet
Poloni – Slloveni dhe Itali – Rusi për të përcaktuar fituesen e këtij edicioni

Poloni – Slloveni dhe Itali – Rusi. Këto do të jenë çiftet e gjysmëfinaleve të Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç për djem, që është duke u zhvilluar në Tiranë, ndërsa të enjten kanë përfunduar ndeshjet në grupe. Radio Televizioni Shqiptar ka qenë i pranishëm në sallën olimpike “Feti Borova”, atje ku kanë qenë edhe emocionet më të mëdha, që kanë ardhur nga ndeshjet Serbi – Itali dhe Polonia – Bullgari. Pasi mbi bazën e përfundimit të këtyre takimeve do të caktohet dhe gjysmëfinalistet e grupit të parë.

Italia e ka nisur mirë setin e parë, ndërsa ka kryesuar 7-10. Pas pushimit të Kozhiç me një avantazh të pjesshëm 5-0, Serbia përmbys në 12-10 dhe më pas arrin të fitojë setin e parë 25-19. Seti i dytë është gjithnjë nën dominimin e Italisë, që fiton shpejt 25-12. Kështu bën dhe në të tretin 25-20, apo dhe të katërtin 25-18 dhe krejt ndeshja 3-1 duke e mbyllur grupin me tre fitore dhe dy humbje e 10 pikë.

Ndërkohë në çiftin tjetër nëse Bullgaria do të fitonte 3-2, atëherë Italia mbetej jashtë. Por nuk ka ndodhur kështu, sepse Polonia nën organizimin e Zbiernalovskit arrin të fitojë pastër 3-0. 25-18 seti i parë dhe i dytë për Poloninë dhe 25-15 seti i tretë e përfundimisht 3-0. Në grupin tjetër, Belgjika ka mundur Turqinë 3-0, Sllovenia është mundur nga Letonia, 3-1, ndërsa Rusia, e cila e ka përfunduar grupin me 15 pikë të plota, ka mundur Shqipërinë 3-0.

Tanimë gjysmëfinalet do të luhet të shtunën në sallën olimpike “Feti Borova” në ora 17:00 dhe 19:30, kurse finalet për vendet 3-4 të dielën në ora 16:30 dhe ajo që do të përcaktojë kampionen e re të Europës në volejboll për djem për moshën 17 vjeç në ora 19:00. E sigurtë që emocionet do të jenë të mëdha, të cilat do të përcillen nga Radio Televizioni Shqiptar.