RTSH Sport Live

Ezmiralda Franja dhe kombëtarja

  • 22/02/2024
  • |
  • Kombëtarja
Ezmiralda Franja dhe kombëtarja
Vajzat e reja e ardhmja e skuadrës testohen ndaj Bjellorusisë dhe Ishujve Faroe

Shqipëria tanimë është gati për turneun “Vizit Malta Trophy”, ndërsa ndeshjen e parë e luan këtë të enjte në ora 14:00 ndaj Bjellorusisë në stadiumin “Tonny Bezina”. Në prag të kësaj sfide, mesfushorja kuqezi, Ezmiralda Franja, ka treguar se për vajzat e Shqipërisë është një turne i rëndësishëm. Madje ka vlerësuar dhe kundërshtarët që do të kenë përballë, Bjellorusinë dhe Ishujt Faroe.

“Mendoj që ky turne është mjaft i vlefshëm. Do të zhvillojmë dy ndeshje miqësore, kundër Bjellorusisë dhe Ishujve Faroe. Natyrisht këto dy ndeshje do të na shërbejnë shumë që profesori të shohë grupin, gjendjen dhe pse jo ndonjë lojtare të re. Me Bjellorusinë kemi luajtur njëherë për kualifikueset e Europianit. Nuk kanë ekip të dobët, janë mirë si ekip. Ne synojmë fitoren në të dyja sfidat”, pohon Franja

Franja ka bërë dhe një koment për vajzat e reja, të cilat janë afruar në këtë kombëtare.

“Ndihem shumë mirë. Kam shumë vite që jam pjesë e Kombëtares. Natyrisht ekipi Kombëtar ka nevojë për talente dhe lojtare të reja që t’i sjellin freski ekipit dhe shpresoj që ato të japin më të mirën, të paraqiten mirë dhe të kenë vazhdimësi me Kombëtaren“- përfundoi Ezmiralda Franja.

Ndeshja e fundit e turneut për Shqipërinë e futbollit të femrave do të jetë të dielën në ora 14:00 ndaj Ishujve Faroe.