RTSH Sport Live

Fagu beson te “Final 4”: Nuk ka patur aleanca në kampionat, të fitojmë ndaj Egnatias

  • 10/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Fagu beson te “Final 4”: Nuk ka patur aleanca në kampionat, të fitojmë ndaj Egnatias

Tirana luan fatet e sezonit në transfertën e nesërme në Rrogozhinë. Bardheblutë duhet të fitojnë përballë kryesuesve të Egnatias dhe të shpresojnë që rivalët të ndalen, që të mund të sigurojnë një vend në “Final 4”. Trajneri Erbim Fagu ka folur për mediat në një konferencë për shtyp dhe ka analizuar ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt. Tekniku beson te “Final 4” dhe thekson se Tirana kërkon 3 pikët nesër në Rrogozhinë.

“Aktualisht kemi pak më pak shpresa, pasi nuk është çdo gjë në dorën tonë, por ne do të bëjmë maksimumin për të marrë 3 pikët në ndeshjen tonë. Ne kemi lojtarë me eksperiencë, por kur një sezon s’ka shkuar si duhet, çdokush futet në presion. Ne presim që të jetë një ndeshje e luftuar dhe shpresojmë të luhet një ndeshje e drejtë, pasi nuk jemi vetëm ne në garë por edhe Teuta me Dinamon.

Në kampionat s’ka pasur aleanca të gjithë kanë luajtur për objektivat e veta, skuadrat do të japin maksimumin. Nuk kemi mungesa, jemi të plotë por do ta shohim edhe sot para stërvitjes. Logjikisht Egnatia është e fokusuar në Kupë por nuk mendoj se do të hyjnë në fushë për të na toleruar, e presim agresive, ka treguar gjatë kampionatit këtë.

E ardhmja? Nuk kam folur, presim të mbarojë kjo ndeshje, më pas do të ulemi dhe do të bisedojmë për të ardhmen”, ka thënë mes të tjerash Fagu.