RTSH Sport Live

Laçi siguron qëndrimin në Superiore

  • 19/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Laçi siguron qëndrimin në Superiore
Kurbinasit kanë triumfuar me rezultatin 3-1 përballë Flamurtarin në finalen e play-out pas 120 minutash lojë

120 minuta lojë për të zgjidhur enigmën, skuadrën e fundit që do të luajë në sezonin e ardhshëm në Superiore: është Laçi.

Në stadiumin e Laçit, në finalen e play-out-it, kurbinasit kanë arritur të triumfojnë me rezultatin 3-1 përballë Flamurtarit. Sfida u zhbllokua në fundin e pjesës së parë nga një gol i brazilianit Melo, që kaloi skuadrën e drejtuar nga Armando Cungu në avantazh.

Megjithatë, në pjesën e dytë vlonjatët arritën të vendosin barazpeshën me anë të një autogoli të shënuar nga Dajko në minutën e 63-të.

90 minutat u mbyllën në barazim 1-1, për ti lënë radhën shtesës ku kurbinasit siguruan dhe mbijetesën në Superiore. Fillimisht ishte Melo që riktheu avantazhin në minutën e 109 me një penallti, ndërsa në minutën e 116-të Mjaki mbylli të gjitha llogaritë për një fitore 3-1.

Me këtë fitore Laçi mbijeton në Superiore, ndërsa Flamurtari dështon sërish për tu ngjitur në elitë, duhet të nisë nga e para në Kategorinë e Parë.