Trajneri i Tiranës, Erbim Fagu ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, që bardheblutë do të luajnë nesër në transfertë përballë Kukësit. Tekniku thekson se Tirana synon një vend në finale e Kupës dhe se do të mbyllë kampionatin mes katër skuadrave më të mira.
“Është një ndeshje që e kemi vlerësuar maksimalisht, një ndeshje gjysmëfinale e Kupës, është një trofe në lojë që ne do të bëjmë maksimumin. Skuadra e Kukësit sidomos me ardhjen e Devolli ka rritur agresivitetin në fushën e lojës, ka ndryshuar pak por ne gjithsesi i kemi idetë e qarta për ndeshjen e nesërme.
Jemi dy ndeshje larg finales nëse ne do të kalojmë, Kupa është një rrugë që të çon në Europë, por s’duhet të harrojmë as ndeshjet e kampionatit. Ne po mundohemi të kapim “Final Four” për të arritur objektivat.
Nuk mund të them që Kupa është rrugë e shkurtër dhe kampionati është rrugë e gjatë pasi edhe në kampionat nuk është se jemi larg vendit të katërt, por sigurisht Kupa është një mundësi për të kapur Evropën”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Tiranës.