RTSH Sport Live

Faza e tretë, sprinti i Egnatias

  • 7 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Faza e tretë, sprinti i Egnatias
Kampionët skuadra më e mirë, Partizani me hapa mbijetese, Tirana e Teuta në fund

Egnatia është skuadra më e mirë e fazës së tretë, të cilën e nisi me humbje, por më pas grumbulloi 19 pikë. E ndjek Dinamo, e para pas dy fazave, ndërsa Partizani ka ecur me hapa mbijetese. Teuta dhe Tirana, me 6 e 8 pikë respektivisht, janë të vetme me më pak se një pikë për ndeshje në këtë fazë.

Egnatia kryeson me 19 pikë, Dinamo e ndjek me tre më pak, Vllaznia e Laçi plotësojnë katërshen e titullit, ndërsa Partizani shkon në play-out për mbijetesë në Abissnet Superiore, duke lënë poshtë Tiranën e Teutën. Kjo është tabloja e kampionatit duke marrë në konsideratë vetëm ndeshjet e fazës së tretë, e cila u mbyll të dielën me ndeshjet e javës së 27-të.

Egnatia, e cila e mbylli në vendin e katërt me 30 pikë fazën e dytë, një më pak se Dinamo e Vllaznia, tani kryeson renditjen me dy pikë më tepër se blutë dhe tri më tepër se Vllaznia. Rikuperimi i pikëve nga ana e kampionëve në fuqi është edhe më tepër mbresëlënës duke llogaritur faktin që fazën e tretë e nisën me humbjen përballë Dinamos, duke e mbyllur vitin 2024 me katër pikë më pak skuadra e Ilir Dajës, çka do të thotë se në tetë ndeshjet vijuese ka rikuperuar gjashtë pikë karshi bluve.

Vllaznia, me 15 pikë në fazën e tretë, ka humbur një vend krahasuar me gjysmën e parë të kampionatit, të cilën e mbylli në vendin e dytë por me pikë të barabarta me Dinamon, ndërsa tani ka tri më pak se vendi i parë. Partizani është skuadra që ka humbur më shumë terren nga katërshja, me vetëm 10 pikë në fazën e tretë, çka ka bërë që diferenca me vendin e pestë të jetë gjashtë pikë tashmë, nga tetë që ishte pas javës së 18-të.

Skuadra më e dobët e fazës së tretë është Teuta, me vetëm 6 pikë në nëntë javë, ndërsa Tirana ka marrë tetë, duke qenë dy skuadrat e vetme që kanë më pak se një pikë për ndeshje gjatë kësaj faze.